Metanierja ruse endet pa ekuipazh në Mesdhe, autoritetet italiane në gatishmëri

Nga Alba Kepi

Autoritetet italiane po ndjekin me shqetësim situatën e anijes “Arctic Metagaz” në Mesdhe e cila lëviz pa ekupiazh dhe e dëmtuar në ujërat internacionale pranë kufirit italian.

Autoritetet italiane po ndjekin me shqetësim të shtuar situatën e krijuar nga metanierja ruse Arctic Metagaz, e cila po lëviz pa kontroll në Mesdhe me një ngarkesë prej rreth 60–62 mijë ton gaz natyror të lëngshëm (GNL), duke u konsideruar një rrezik serioz për sigurinë detare dhe mjedisin.

Sipas informacionit të raportuar, anija është goditur në fillim të marsit, në ujërat e Mesdheut, nga një seri shpërthimesh të forta, të ndjekura nga një zjarr i madh në bord. Autoritetet ruse pretendojnë se incidenti është shkaktuar nga dronë detarë ukrainas, ndërsa pala ukrainase nuk ka konfirmuar asnjë përfshirje. Si pasojë e goditjes, anija ka pësuar dëmtime të rënda strukturore, përfshirë çarje në trup dhe dëmtim të depozitave të ngarkesës.

Pas incidentit, metanierja mbeti pa ekuipazh dhe humbi plotësisht kontrollin e navigimit, duke u shndërruar në një anije të braktisur dhe të paqëndrueshme që vazhdon të lëvizë në mënyrë të pavarur në det të hapur.

Anija fillimisht kaloi pranë ishullit Lampeduza, duke alarmuar autoritetet italiane për shkak të rrezikut të mundshëm për brigjet dhe trafikun detar. Më pas ajo u zhvendos pranë Maltës dhe aktualisht ndodhet në ujërat e Libisë.

Ngarkesa e madhe me gaz natyror të lëngshëm e bën situatën veçanërisht të rrezikshme. Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e një shpërthimi, rrjedhjeje gazi ose dëmtimi të mëtejshëm të strukturës së anijes, gjë që mund të ketë pasoja serioze për mjedisin detar dhe zonat bregdetare në Mesdhe, përfshirë Italinë.

Autoritetet italiane po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa përgjegjësia për çdo ndërhyrje direkte i përket aktualisht autoriteteve libiane. Situata mbetet e paqëndrueshme dhe nën vëzhgim të rreptë, për shkak të rrezikut të lartë që paraqet për sigurinë dhe mjedisin në rajon.