Referendumi për drejtësinë në Itali: reformë e nevojshme apo rrezik për pavarësinë?
Nga Alba Kepi
Italia i drejtohet kutive të votimit këtë fundjavë më 22 dhe 23 mars 2026, në një referendum popullor për të ardhmen e sistemit të drejtësisë.
Qytetarët do të vendosin nëse do të miratojnë apo refuzojnë një reformë të thellë që prek strukturën e magjistraturës dhe balancat institucionale të vendit.
Në qendër të reformës qëndron ndarja e karrierave mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijimi i organeve të ndara të vetëqeverisjes dhe riformatimi i sistemit disiplinor. Sipas mbështetësve, këto ndryshime synojnë të rrisin paanshmërinë dhe efikasitetin e drejtësisë.
Kampi i “PO”-së e sheh reformën si një hap të domosdoshëm drejt modernizimit të sistemit.
Kryeministrja Giorgia Meloni është shprehur se:
“Nevojitet një drejtësi më e drejtë dhe më efikase, në shërbim të qytetarëve.”
Në të njëjtën linjë, lideri i Partisi Lega e njëherësh zëvendës kryeministër e Minsitër i Infrastrukturës në qeverinë Meloni, Matteo Salvini; “Kjo reformë, tha ai, synon të rikthejë ekuilibrin che të garantojë procese më të drejta.”
Mbështetësit argumentojnë se ndarja e roleve do të forcojë parimin e paanshmërisë së gjyqtarit dhe do të rrisë besimin e qytetarëve te drejtësia.
Kampi i “JO”-së, ndërkohë, shpreh kundërshtim të fortë, duke paralajmëruar për pasoja serioze mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor. Kundërshtimi më i fortë vjen nga vetë magistratura. Kryeprokurori antimafia i Napolit, Nicola Gratteri ka ngritur shqetësime të drejtpërdrejta:
“Drejtësia nuk përmirësohet duke ndryshuar strukturat, por duke investuar në burime, personel dhe organizim.”
Në të njëjtën linjë, ish-prokurori kombëtar i Antimafias italiane Federico Calfiero De Raho që ka paralajmëruar:
“Ekziston rreziku që kjo reformë të dobësojë koordinimin dhe efektivitetin e sistemit.” Ndërsa Giuseppe Santalucia, ish President i Associazioni Nazionali Magistrati ka deklaruar se
“Po preken balanca shumë delikate që garantojnë pavarësinë e magjistraturës.”
Kryetarja e Partisë Demokratike Elly Schlein ka deklaruar se “Kjo reformë rrezikon të prishë balancat kushtetuese dhe të dobësojë pavarësinë e drejtësisë.”
Edhe lideri i Lëvizjes 5 Yje Giuseppe Conte është shprehur kritik:
“Nuk është kjo përgjigjja për problemet reale të drejtësisë italiane.”
Debati mbetet i fortë dhe thellësisht politik, por edhe institucional. Nga njëra anë qëndron nevoja për një drejtësi më efikase dhe moderne; nga ana tjetër preokupimi se ndryshimet mund të cënojnë një nga parimet themelore te shtetit të së drejtës: pavarësinë e gjyqësorit.
Më 22 dhe 23 mars, vendimi do të jetë në duart e qytetarëve italianë. Një votë që nuk përcakton vetëm fatin e një reforme, por edhe drejtimin e ardhshëm të drejtësisë në Itali.
Analistë e politikës e shohin dhe si një provë elektorale mbi qeverisjen Meloni e cila më 2027 do të kërkojë një mandat të dytë.