'Serbia po u heq shqiptarëve shtetësinë në heshtje'/ Grazhdani: Pasivizimi i adresave, spastrim etnik administrativ

Çështja e "pasivizimit" të adresave të mijëra shqiptarëve në Luginën e Preshevës ka mbërritur në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Përmes një padie të depozituar nga avokati Drini Grazhdani, kërkohet ndalimi i një praktike që po u heq shqiptarëve shtetësinë dhe të gjitha të drejtat civile, në atë që përshkruhet si një formë e "spastrimit etnik administrativ".

Pasivizimi i adresave është një proces përmes të cilit autoritetet serbe fshijnë administrativisht qytetarët nga regjistrat e tyre të banimit. Ky veprim, në dukje teknik, ka pasoja shkatërruese: humbjen e shtetësisë serbe dhe rrjedhimisht, të drejtën për të votuar, për të zotëruar pronë, për të përfituar sigurim shëndetësor, pension apo për t'u punësuar.

Sipas avokatit Grazhdani, i cili e ka ndjekur çështjen, kjo praktikë buron nga një ligj i vitit 2011, i cili sipas tij, nuk është vetëm interpretuar gabim, por është krijuar me qëllimin për të realizuar një spastrim etnik ndaj shqiptarëve. 

I ftuar në 'KAFE SHQETO' në SYRI TV, Grazhdani shpjegon se mekanizmat ligjorë brenda Serbisë janë pothuajse inekzistentë. Qytetarët kanë vetëm tetë ditë afat për t'u ankuar pasi adresa e tyre pasivizohet, një afat ky i pamundur për t'u respektuar, veçanërisht për studentët apo personat që punojnë përkohësisht jashtë vendbanimit, si për shembull në Kosovë.

Kur kthehen, ata e gjejnë veten të fshirë nga regjistrat, pa asnjë mundësi ankimimi, duke u bërë praktikisht "të çfarosur për së gjalli", sipas avokatit.

Sipas regjistrimit të vitit 2022, në Serbi jetojnë mbi 60,000 shqiptarë, të cilët përbëjnë minoritetin e katërt më të madh. Tani, e vetmja shpresë për ta mbetet një vendim i drejtë nga Gjykata e Strasburgut, i cili mund të ndalojë procesin dhe të kthejë të drejtat e mohuara për mijëra qytetarë.

Grazhdani:

Është një çështje, tepër e rëndësishme, për shkak se ëh, kjo ka filluar nga viti 2011. Serbia ka implementuar një ligj, për vendbanime dhe qëndrim të përkohshëm. Ky ligj ka pasur për qëllim sipas tyre, që të evidentojë qytetarët të cilët nuk jetojnë më në Serbi në përgjithësi. Por ky ligj është, mendoj se jo vetëm që është interpretuar në mënyrë të gabuar,  por edhe çështja ka qenë se është mendoj se është krijuar që të zhvillohet një lloj spastrimi etnik të shqiptarëve të cilët jetojnë atje.

Në instancat evropiane, nëse flasim për aspektin politik,unë jam i dëshpëruar. Po është e rëndësishme edhe aspekti politik për shkak se ndihmon edhe procesin juridik për shkak se duhet të të flitet kjo çështja e pasivizimit të adresave. Po në aspektin juridik, unë si avokat, e vetmja shpresë tani mbetet vendimi i Gjykatës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Pra një vendim i drejtë i tyre do ta ndihmonte këtë proces që të kthehet prapa, do të ndihmonte që të ndalohet pasivizimi i vazhdueshëm i adresave dhe me shpresë që adresat e pasivizuara të kthehen tek qytetarët. Opsionet të cilat i kanë tani shqiptarët atje është vetëm që të ndjekin instancat ligjore të brendshme në Serbi, por është një problem shumë i madh, për shkak se me këtë ligj që ka marrë Serbia, ata kanë lënë një afat tetë ditor që të, që të ankohet në momentin që pasivizohet adresa. Dhe për shembull, është një student i cili, është nga Presheva, por studion në Kosovë.

Ai nuk nuk mund ta dijë për tetë ditë se është është pasivizuar adresa dhe kur kthehet në Preshevë, ai e kupton se nuk ka, nuk mund të merrë letërnjoftim të ri, nuk mund të merrë pasaportë të re dhe ai ka humbur të gjitha të drejtat për t'u ankuar. Dhe në atë moment ligjërisht ai nuk ka opsione, nuk ka opsione ligjore për ta sfiduar këtë çështje.

Është një një shkelje, nuk është, prandaj e kam e kam cekur edhe në disa postime që nuk është kjo një çështje simbolike. Është një spastrim etnik i cili është duke ndodhur, është duke ndodhur.

Unë jam munduar që t'i largohem nga nga deklaratat politike, sepse nuk dëshiroj që aspekti juridik i çështjes të ngrehet tashti në një debat politik. Por, në të njëjtën kohë, kërkesa ime është që në çdo takim me qoftë me ndërkombëtarët apo qoftë me evropianët, kjo duhet të jetë çështja e parë të cilën ata diskutojnë përpara se të hyjnë në tema të tjera. Qoftë qeveria e Kosovës, qoftë secili diplomat apo secili qytetar që takohet me me ndërkombëtarët, duhet të jetë një urgjencë kombëtare çështja e të drejtave të shqiptarëve të cilët jetojnë në Luginë.

Për ta ndihmuar? Në këto momente Shqipëria duhet ndoshta këtë këshillë të cilën e dhashë tani, që të jetë temë diskutimi primar, e para në çdo diskutim të cilët bëhet qoftë në Bashkimin Evropian, qoftë me shtete të tjera, çështja e të drejtave të shqiptarëve atje. Ju e patë me ligjin për të huajt në Kosovë, ëhë, u implementua një ligj dhe kishte disa gajle lidhur me si do të preken të drejtat e qytetarëve serbë të cilët jetojnë në Kosovë. I gjithë Bashkimi Evropian u ngrit në këmbë, duke bërë presion qeverisë së Kosovës lidhur me këtë çështje. Por e njëjta nuk po ndodh me qytetarët të cilët nga viti 2011 janë duke u pasivizuar adresat atje.

Kosova me ligjin për të huajt nuk i pasivizonte adresat, nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim i cili shkelën të drejtat e njeriut. Ndërsa nga 2011-ta nuk ka asnjë reagim të me fill, tamam. Publikimi i një raporti nuk nuk është i mjaftueshëm, ose ngritja e shqetësimit në ndonjë takim, nuk është i mjaftueshëm edhe ajo. Duhet të merren hapa konkretë që të ndalohet pasivizimi i adresave në Serbi.