Çollaku: Paratë kriminale kanë tejkaluar buxhetin, ekonomia e kriminalizuar
Fenomeni i pastrimit të parave në Shqipëri ka arritur përmasa alarmante, duke tejkaluar edhe fuqinë e buxhetit të shtetit dhe duke instaluar një sistem ku ekonomia është kriminalizuar dhe krimi është politizuar. Kështu deklaroi në studion e ‘Kafe Shqeto’ gazetari Basir Çollaku, i cili argumentoi se sasia e parave të pastruara është aq e madhe sa “është bërë pis gjithë Shqipëria”.
Sipas tij, sasia e parasë informale dhe asaj me burim kriminal, veçanërisht nga trafiku i drogës, ka arritur në nivele të frikshme, duke u bërë një “konkurruese e denjë e buxhetit”, madje duke e tejkaluar atë. Ai përmendi ekzistencën e dy-tre grupeve kriminale që zotërojnë pasuri nga 8 deri në 10 miliardë euro secili, shifra që e lënë buxhetin e shtetit “anash kësaj historie”. Një tjetër fakt alarmant i përmendur është se në bankat shqiptare ka mbi 2000 klientë që zotërojnë llogari me mbi 1 milion euro.
Basir Çollaku: A janë pastruar aq shumë para sa aq sa është bërë pis gjithë Shqipëria. Këtë ka bërë ky zotëria. Po flasim për institucionet që kanë të drejtë të hyjnë në atë valle. Tani kompromentimin, nëse ti nuk gjen dot një shteg të bardhë atje, s'ke ku shkon me marrë o vëlla. Ku do ikësh, në Gjermani do të thuash? Por, për t'u kthyer tek ajo çfarë ju konstatuat me të drejtë, sasia e parasë informale dhe kriminale dhe sidomos me burime narkotike, në nivele kaq të frikshme, është konkurruese e denjë e buxhetit. Dhe çfarë, e ka kriminalizuar dhe buxhetin. Ne e kemi thënë shpeshherë, këtu janë dy-tre grupe kriminale që kanë nga 8 deri në 10 miliardë euro. Po t'i numërojmë të gjithë, buxheti i vjen anash kësaj historie. Por, pra kemi kriminalizim të ekonomisë dhe politizim të krimit. Sepse bashkërisht këta kanë arritur ta bëjnë këtë gjë, e kanë ndërtuar, le të themi, këtë skemë, këtë arkitekturë siç ju theksuat. Por kush firmos që kjo të ndodhë? Kush e jep lejen?
Në 2013-ën Rama kishte atë sloganin, qelbësirat të gjithë... të gjithë bashkë. Të gjithë vendin, bashkohuni. Dhe qelbësirat i mori Rama me qira. Tani ka ndodhur e kundërta. Ata kanë marrë Ramën me qira. Janë pronarët e kësaj historie, janë vendimmarrësit le të themi për shumë punëve dhe ne kemi miliona dhe miliarda euro që pastrohen me punë publike. Formalizohen me punë publike. Madje, dikush që merret me këtë punë dhe investigimin e pastrimit të parave më thotë që po të shkojmë nëpër banka, është mbi 2000 numri i klientëve të cilët kanë mbi 1 milion euro. Mbi 2000. Është shifër e saktë, s'po e dekonspiroj, se është edhe më tepër. Pra, dhe këto miliona euro që eksperti e di shumë më mirë nga unë, ti 10,000 euro, 10 milionë lekë po të depozitosh në një sistem financiar, bie telefoni, zilja aty, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave investigon dhe ndjek kush është personi që i hodhi këto para në sistem dhe nga vijnë.
Vjen Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, më thoni një denoncim që ka bërë edhe për zyrtarë, edhe për deputetë, për politikanë. Më duket e vetmja gjë që ka denoncuar është adresa e zyrave të saj, se ku ndodhen. Nuk kam parë, edhe në procesin e vetingut, një pjesë e madhe e raporteve të këtij inspektorati janë përmbysur nga komisionerët, çka do të thotë njëri prej tyre u ka fshehur apo ka konsumuar një vepër penale. Dhe këtu kthehemi që institucionet shndërrohen në ndihmës, por njëkohësisht edhe ortak. Pse? Ka dhe diçka tjetër që e kam hasur në këto informacione që konsultoj me njerëz të botës së drejtësisë, por edhe të financës. Njerëz janë zyrtarë të cilët lëvrojnë para publike, tendera, koncesione dhe shërbime të tjera le të themi të parasë së buxhetit, zgjedhin njerëz afër tyre, pra ndërtimi i skemës është i tillë, marrin një të afërm, një shok, një mik, një të njohur dhe puna shkon atje, dhe këta tani edhe pastrojnë paranë kriminale të trafiqeve, por njëkohësisht bëhen dhe vetë aksionerë. Janë vetë aksionerët e këtij biznesi dhe e kanalizojnë, le të themi, punën aty në ministrinë ku janë, në ato drejtori ku gjenden. Pra paraja e tyre... ka 5D në çdo, në çdo institucion. Dhe në këtë grup të 5D-ve, absolutisht njëri prej tyre që duhet të jetë edhe vendimmarrësi, është nga bota e trafikut të drogës.