Atletiko në çerekfinale përballë Barcelonës, Simeone: Sa më shumë luan kundër tyre, aq më pak frikë ke

Atlético Madrid siguroi kalimin në çerekfinalen e UEFA Champions League, ndërsa trajneri Diego Simeone u shfaq i kënaqur dhe krenar për arritjen e skuadrës së tij.

Në prononcimin për Movistar, tekniku argjentinas theksoi progresin e klubit: “Jam i kënaqur me rritjen e klubit dhe të ekipit, si edhe me aftësinë për të qenë vazhdimisht mes tetë skuadrave më të mira në Europë. Do të bëhet gjithmonë më e vështirë, por jemi jashtëzakonisht të emocionuar”.

Duke analizuar ndeshjen, Simeone pranoi vështirësitë:

“Sinqerisht, ishte një përballje e pakëndshme. Nuk arritëm të gjenim ritmin tonë dhe as ta kontrollonim plotësisht lojën. Kundërshtari e nisi më mirë, ndërsa pas golit të tyre ne reaguam. Në pushim u thamë lojtarëve se nuk kishim nevojë për atë goditje për të luajtur siç dimë. Reaguam mirë dhe krijuam raste edhe për golin e tretë”.

Trajneri vlerësoi edhe paraqitjet individuale, veçanërisht portierin dhe repartin ofensiv: “Ishte një natë shumë e mirë për disa nga djemtë. Ata bënë një punë të shkëlqyer për të na rikthyer në çerekfinale dhe për të vazhduar garën”.

Simeone u ndal edhe te goli i barazimit: “Ai moment tregoi qetësinë dhe cilësinë në vendimmarrje, ndërsa finalizimi ishte spektakolar. Më pas menduam për zgjidhje nga stoli dhe skuadra reagoi siç duhej”.

Në fund, ai dha një mesazh interesant për përballjet me gjigantët europianë: “Duhet të luajmë sa më shpesh kundër skuadrave si Barcelona, Real Madrid apo Bayern Munich. Sa më shumë të përballesh me ta, aq më pak frikë ke. Kjo nuk garanton fitore, por na jep më shumë mundësi për të konkurruar”, përfundoi Simeone.