Vendet arabe dënojnë sulmet e Iranit: Janë të qëllimshme, të ndalet përshkallëzimi i konfliktit
Një grup vendesh arabe kanë publikuar një deklaratë të përbashkët pas sulmeve të fundit të Iranit, në përfundim të një takimi të ministrave të jashtëm të zhvilluar në Riad.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Bahreini, Kuvajti, Libani, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të tjera të rajonit.
Në deklaratën e tyre, ata dënojnë atë që e cilësojnë si sulme “të qëllimshme” nga Irani, duke theksuar se janë goditur zona të banuara, infrastruktura civile dhe objekte diplomatike. Sipas tyre, këto veprime nuk mund të justifikohen “nën asnjë pretekst”.
Vendet pjesëmarrëse theksojnë gjithashtu të drejtën e tyre për vetëmbrojtje në përputhje me nenin 51 të Kartës së OKB-së.
Në deklaratë i bëhet thirrje Iranit që të “ndalojë menjëherë sulmet”, të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe “parimet e fqinjësisë së mirë”, si dhe të shmangë çdo masë apo kërcënim për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Njëkohësisht, vendet arabe dënojnë edhe “agresionin” e Izraelit ndaj Libanit dhe atë që e cilësojnë si “politikë ekspansioniste” të tij në rajon.