Maroku përshëndet vendimin e CAF-it: U rivendos ligjshmëria!

Federata e Futbollit e Marokut ka reaguar pozitivisht ndaj vendimit të Konfederatës Afrikane të Futbollit, duke theksuar se me këtë vendim është “rivendosur ligjshmëria”.

Në pritje të ankesës së paralajmëruar nga Senegali në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, federata marokene (FRMF) publikoi një deklaratë ku vlerëson respektimin e rregullave nga ana e CAF-it. Vendimi i këtij institucioni ishte t’i hiqte Senegalit titullin e kampionit të Afrikës dhe t’ia akordonte Marokut, për ngjarjet e ndodhura në finalen e zhvilluar më 18 qershor, në Rabat.

Sipas FRMF-së, ky vendim promovon respektimin e rregullave dhe stabilitetin e nevojshëm për mbarëvajtjen e garave, duke pranuar se rregullorja nuk ishte zbatuar siç duhet. Federata theksoi se qëllimi i saj nuk ishte të vinte në dyshim performancën sportive të skuadrave, por vetëm të kërkonte zbatimin korrekt të rregullave.

Komiteti i Apelit i CAF-it vendosi të përmbysë rezultatin e fushës, duke i dhënë fitoren 3-0 Marokut, pasi Senegali kishte fituar fillimisht 1-0. Vendimi u bazua në një rregull që ndalon largimin nga fusha pa lejen e arbitrit, me pasojë humbjen e ndeshjes.

Në fillim, Komiteti Disiplinor i CAF-it nuk kishte ndryshuar rezultatin, por kishte vendosur vetëm gjoba dhe sanksione për të dy federatat për sjellje antisportive. Megjithatë, pas ankesës së Marokut, rezultati u përmbys, duke ndezur debat dhe polemika të mëdha në futbollin afrikan.