Alarm për Italinë, Tonali dëmtohet ndaj Barcelonës para playoff-it të Botërorit
Alarm në kampin e Italisë vetëm pak ditë para ndeshjeve të playoff-it për Kupë e Botës. Mesfushori Sandro Tonali është detyruar të largohet nga fusha për shkak dëmtimi gjatë ndeshjes mes Newcastle United dhe Barcelona në “Camp Nou”, e vlefshme për 1/8-at e Champions League.
Tonali u dëmtua në minutën e 55-të, pas një ndërhyrjeje në mbrojtje ndaj Fermín López, duke marrë një goditje në kofshën e majtë. Mesfushori italian u largua nga loja i shoqëruar nga stafi mjekësor i skuadrës angleze, ndërsa shqetësimi është i madh për një problem të mundshëm muskulor.
Me vetëm një javë nga ndeshja e rëndësishme, kjo situatë ngre pikëpyetje serioze për praninë e tij me kombëtaren. Italia do të përballet më 26 mars, në Bergamo, kundër Irlandës së Veriut në gjysmëfinalen e playoff-it, ndërsa një finale e mundshme është planifikuar për më 31 mars ndaj Uellsit ose Bosnjë Hercegovinës.
Stafi mjekësor i Italisë pritet të monitorojë nga afër gjendjen e Tonalit, ndërsa frika për një mungesë të rëndësishme në mesfushë sa vjen dhe rritet.