Buxhuku: Shteti në prag falimentimi, rritja e çmimit të karburanteve kërcënon ekonominë shqiptare
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve me gazetaren Armela Ferko, eksperti i ekonomisë dhe administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë Shqiptare, Gjergj Buxhuku, ka paralajmëruar se rritja e çmimit të karburanteve po rrezikon seriozisht ekonominë shqiptare, duke e çuar vendin në një situatë të ngjashme me krizën e vitit 1996, para kolapsit të 1997-ës.
Ai paralajmëron se Shqipëria, e varur tërësisht nga tregjet ndërkombëtare dhe e çarmatosur përballë krizave, mund të përballet me pasoja shkatërruese, përfshirë deri edhe falimentimin e shtetit.
Buxhuku kritikon ashpër qasjen e qeverisë, duke theksuar mungesën e veprimeve konkrete për të shfrytëzuar rezervat e naftës, për të ndërtuar institucione rregullatore dhe për të përgatitur masa fiskale që do të lehtësonin barrën mbi qytetarët.
Ai paralajmëron se pasojat për qytetarët janë të dyfishta, ku theksoi se nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme dhe strategjike vendi po ecën drejt një stuhie ekonomike që mund të godasë në mënyrë të drejtpërdrejtë mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin e shtetit.
Pjesë nga deklarata:
Në fakt është një shqetësim që realisht nuk do të doja të ishte i vërtetë. Por realisht është shumë i frikshëm, nëse kemi parasysh faktin që çmimi i karburanteve është rritur në progresion gjeometrik. Nuk dihet se sa do të vazhdojë lufta, që do të thotë se nuk dihet sa do të shkojnë çmimet e karburanteve në botë. Dhe natyrisht, Shqipëria si një vend i çarmatosur krejtësisht, pra i varur tërësisht nga çmimet e tregjeve ndërkombëtare, do të jetë një viktimë e padiskutueshme. Fatkeqësisht, kjo është realiteti, sepse Shqipëria ka rezervat e saj të naftës që, për të ardhur keq, nuk janë shfrytëzuar pikërisht për këtë ditë të errët që i përafrohet ekonomisë shqiptare dhe, natyrisht, kur themi ekonomisë, kemi parasysh qytetarët shqiptarë.
Dihet që çmimi i karburantit është baza e krijimit të të gjithë kostove të mallrave dhe të shërbimeve që prodhohen në vend dhe që importohen nga jashtë. Pra, është pikërisht ai mall mbi të cilin bëhen luftrat botërore. Shqipëria, edhe njëherë tjetër brenda pak vitesh, që nga koha e fillimit të luftës në Ukrainë, ku ishim të çarmatosur, edhe pas katër vitesh, përsëri jemi tërësisht të çarmatosur. Ajo që është më e keqja është se vendimmarrja politike nuk ka nxjerrë mësime nga ajo periudhë dhe vazhdon të mos ndërmarrë asgjë, duke marrë situatën shumë lehtë.
Në këtë kuadër, pikërisht në këtë të fundit që përmendni, jo më larg se sot, Kryeministri Rama, ashtu si në 2022, në kuadrin e nisjes së luftës në Ukrainë, në takimin me furnizuesit e naftës të të mërkurës, u përpoq të shfaqej sërish si një arbitër mes tregut dhe konsumatorit, duke përmendur praktikisht të njëjtat argumenta si në vitin 2022, përfshirë rolin ose faktorin shtetëror që do të duhet të ndërhyjë për të lehtësuar situatën dhe për të garantuar sasitë e nevojshme. Pra, bëhet fjalë për garantimin e sasisë ose menaxhimin dhe krijimin e një rezerve. Të njëjtën gjë e kishte thënë edhe në mars të 2022, kur shpërtheu lufta në Ukrainë dhe çmimet e naftës nisën të rriteshin. Rama premtoi atëherë se shteti do të krijonte rezervën e vet përmes Alpetrolit, duke i thënë kompanive shtetërore se do të bëhej aktori i ditëve të këqija.
Këtu nuk është fjala për një problem të vetëm, por për disa probleme të lidhura me një çështje shumë të rëndësishme: çmimin e karburanteve në ekonominë shqiptare dhe pasojat që ka rritja e pakontrolluar e këtij çmimi. Shqipëria ishte një nga ato vende që mund të kishte vepruar shumë gjatë katër viteve të fundit, madje më shumë sesa shumica e shteteve europiane, pasi kishte rezervat e saj të naftës. Mund të ndërtohej një rafineri që të plotësonte 20–30% të nevojave të vendit dhe Shqipëria do të ishte në pozita shumë komode sot.
Kjo nuk u bë. Institucionet rregullatore të tregut nuk u ngritën për të kontrolluar spekulimet e mundshme në tregun strategjik të karburanteve. Po ashtu, nuk u përgatitën paketat fiskale që do të mund të përdoren për të shmangur rritjen e dyfishtë të çmimeve për qytetarët, pra karburantin e makinave dhe inflacionin që prodhon rritja e çmimit të karburanteve, duke rritur barrën fiskale për qytetarët në mënyrë të jashtëzakonshme.
Kjo gjendje ka filluar të ndihet tashmë, me inflacion të importuar dhe inflacion të prodhuar nga nevoja akute për mbijetesë e pakicave të industrive dhe prodhuesve vendorë. Pasojat shkarkohen tek xhepat e qytetarëve shqiptarë. Për momentin, duket se qeveria është komode, pasi rritja e çmimeve fryn arkat e shtetit, por kjo është një fushë e minuar me pasoja të mëdha. Situata makroekonomike e Shqipërisë është shumë e ngjashme me atë të vitit 1996. Për fat të keq, nuk janë nxjerrë mësime nga katër vitet e shkuara dhe pasojat e krizës së karburanteve.
Gjendja është shumë delikate. Ekonomia shqiptare sot është e çarmatosur krejtësisht, pa asnjë instrument për të përballuar krizën. Nëse situata vazhdon kështu, mund të rrezikohet stabiliteti ekonomik dhe shteti mund të falimentojë, ndërsa qytetarët do të goditen në mënyrë të papërballueshme.