Neymar paralajmëron Ancelotti-n: Ky është Botërori im i fundit, karriera po mbaron

Neymar ka dhënë sinjale të qarta për të ardhmen e tij në kombëtaren e Brazilit, duke paralajmëruar se Botërori 2026 mund të jetë i fundit në karrierën e tij ndërkombëtare. “Ky është Botërori im i fundit, nuk e di nëse do të jetë edhe viti im i fundit me kombëtaren. Karriera ime po i afrohet fundit dhe duhet ta pranoj këtë. Gjithmonë i them familjes dhe miqve të shijojnë çdo moment, sepse një ditë gjithçka do të mbarojë”, deklaroi Neymar pak muaj para nisjes së kompeticionit.

Presioni për ta pasur ish-lojtarin e Barcelona në Botëror po rritet. Agjenti i tij, Pini Zahavi, në një deklaratë për Fabrizio Romanon, theksoi rëndësinë e pranisë së Neymar-it, duke shtuar se Ancelotti duhet të marrë parasysh rolin kyç që sulmuesi ka në ekip: “Kam shumë respekt për Carlo Ancelotti-n dhe e di se sa shumë Neymar po punon për të ndihmuar Brazilin në Botëror. Besoj se Ancelotti nuk do të bëjë gabimin të heqë nga skuadra zemrën e Brazilit, që është Neymar Jr.”

Trajneri italian, Carlo Ancelotti, për momentin e ka lënë jashtë listës për ndeshjet miqësore ndaj Francës dhe Kroacisë, por presioni për ta përfshirë në Botëror pritet të rritet. Tematika e Neymarit mbetet një pikë diskutimi që do të ndezë debate edhe deri në fillimin e Botërorit 2026, duke ndarë opinionet brenda dhe jashtë Brazilit.