‘Luan gjithmonë vetëm’, Leao shpërthen ndaj Pulisic-it, Allegri i jep të drejtë
Tension i lartë te Milani gjatë ndeshjes kundër Lazios, ku protagonisti kryesor i polemikave ishte Rafael Leão. Sulmuesi portugez u shfaq i irrituar në momentin e zëvendësimit, duke krijuar një situatë të tensionuar në stol dhe në fushë.
Përveç humbjes, rreziku më i madh për kuqezinjtë ishte përçarja e mundshme në dhomat e zhveshjes. Megjithatë, pas ndeshjes pati një sqarim mes Christian Pulisic-it dhe Leaos, që ndihmoi në qetësimin e situatës.
Fillimisht u duk se zemërimi i Leaos lidhej me zëvendësimin, aq sa refuzoi edhe përqafimin e trajnerit Massimiliano Allegri. Por më pas u bë e qartë se problemi kryesor ishte me shokët e skuadrës, të cilët sipas tij nuk po e shërbenin siç duhet në fushë. Në veçanti, ai shprehu pakënaqësi ndaj Pulisic-it dhe Pavlovic-it.
Sipas pamjeve të publikuara, Leao reagoi pas një aksioni ku Pulisic nuk i dha një pasim të rrezikshëm: “Ma jep topin brenda, vëlla!”, ishte reagimi i tij i menjëhershëm. Edhe Allegri u pa i irrituar me vendimin e amerikanit, duke u shprehur ndaj stafit: “Jepja topin! Me këtë rast e çonte në gol, janë bërë dy të tilla!”.
Megjithatë, trajneri vendosi të zëvendësonte Leaon dhe jo Pulisic-in, gjë që e acaroi edhe më shumë portugezin. Duke iu afruar pankinës, ai shpërtheu: “Duhet të japë topin, mister!”. Allegri u përpoq ta qetësonte: “Ke të drejtë, por tani qetësohu”.
Leao, i nervozuar, refuzoi përqafimin e trajnerit dhe reagoi me goditje ndaj pankinës, duke thënë: “Luan gjithmonë vetëm dhe askush nuk thotë asgjë… gjithmonë e njëjta histori”.
Pas ndeshjes, dy lojtarët patën një bisedë sqaruese dhe shtrënguan duart, duke shmangur përshkallëzimin e konfliktit. Edhe pse Milani humbi mundësinë për t’iu afruar Inter në renditje, të paktën situata në skuadër është stabilizuar dhe qetësia është rikthyer në Milanello.