Refuzuan ndërhyrjen ushtarake në Ngushticën e Hormuzit, Trump tjetër mesazh vendeve të NATO-s
Presidenti Donald Trump dërgon një mesazh të fortë për “aleatët” e SHBA-së mes luftës me Iranin:
“Pyes veten çfarë do të ndodhte nëse ‘do ta përfundonim’ atë që ka mbetur nga shteti terrorist iranian…”
“Kjo do t’i vinte në lëvizje disa nga ‘aleatët’ tanë që nuk po reagojnë – dhe shpejt!!!”
Aleatët e NATO refuzuan t’i bashkohen përpjekjeve për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke shkaktuar pakënaqësi te presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe duke ngritur pikëpyetje mes disa zyrtarëve amerikanë për besueshmërinë e aleancës në një krizë të madhe globale.
Trump ka paralajmëruar se përballja me Iranin në Hormuz mund të ketë pasoja serioze për NATO-n, duke argumentuar se aleatët përfitojnë nga siguria globale pa ndarë barrën.
“Shtetet e Bashkuara janë informuar nga shumica e ‘aleatëve’ tanë në NATO se nuk duan të përfshihen në operacionin tonë ushtarak”, shkroi presidenti të martën në rrjetin social Truth Social.
Ai tha se qëndrimi i aleatëve është "mjaft shokues". "Mendoj se NATO po bën një gabim shumë të trashë" theksoi më tej.
“Ne do t’i mbrojmë ata, por ata nuk do të bëjnë asgjë për ne, veçanërisht në një moment nevoje”, u shpreh Donald Trump.
Ngushtica e Hormuzit është një arterie jetike për ekonominë globale, pasi përmes saj kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë. Edhe një ndërprerje e kufizuar mund të shkaktojë rritje të menjëhershme të çmimeve të energjisë dhe të vërë nën presion ekonomitë në mbarë botën.
Megjithëse misioni kryesor i NATO është mbrojtja rajonale, përfshirja e aleatëve në sigurimin e ngushticës do të tregonte nëse aleanca është në gjendje të projektojë fuqi përtej Europës — apo nëse mbështetet kryesisht te SHBA për mbrojtjen e tregtisë globale.
Pakënaqësia po përhapet edhe përtej Shtëpia e Bardhë.
Senatori republikan Lindsey Graham deklaroi se mungesa e mbështetjes nga aleatët “më bën të rishqyrtoj vlerën e këtyre aleancave”, duke paralajmëruar se pasojat mund të jenë “të gjera dhe të thella”.
Ndërkohë, Trump ka vënë gjithashtu në pikëpyetje të ardhmen e aleancës.
Nëse nuk ka përgjigje, ose nëse përgjigjja është negative, mendoj se kjo do të jetë shumë e keqe për të ardhmen e NATO”, deklaroi Donald Trump për Financial Times.
Megjithatë, aleatët europianë kanë treguar pak gatishmëri për t’iu bashkuar një operacioni ushtarak të udhëhequr nga SHBA kundër Iranit në Ngushticën e Hormuzit.
Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore e ngushtë mes Iranit dhe Omanit, e cila shërben si korridori kryesor për transportin e rreth 20% të furnizimit botëror me naftë.
Përplasja aktuale vjen pas përshkallëzimit të sulmeve nga SHBA dhe Izraeli ndaj objektivave iraniane, duke rritur frikën se Teherani mund të kundërpërgjigjet duke penguar lundrimin në ngushticë përmes minave detare, dronëve apo mjeteve të shpejta sulmuese.
Kompanitë e sigurimeve kanë nisur të refuzojnë sigurimin e anijeve që kalojnë në këtë zonë, ndërsa një numër shumë i kufizuar mjetesh lundruese kanë kaluar që prej nisjes së operacionit të udhëhequr nga SHBA kundër Iranit, i njohur si Operacioni Tërbimi Epik (Anglisht: Epic Fury)
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka përjashtuar dërgimin e anijeve luftarake në Ngushticën e Hormuzit apo në ujërat pranë Iranit, duke sinjalizuar se do të shmangë përfshirjen e drejtpërdrejtë në operacione luftarake.