Cassano shpërthen me kritika: Interi e humb titullin nëse kthejnë Inzaghin, VAR-i për t’u hequr
I njohur për deklaratat e tij të drejtpërdrejta, Antonio Cassano ka rikthyer polemikat me komentet e fundit rreth garës për titull dhe arbitrimit në futbollin modern.
Në një intervistë për ‘Il Giorno’, ish-sulmuesi italian u shpreh se Interi mbetet skuadra më e fortë dhe favoritja absolute për titullin, por nuk ngurroi të ironizonte trajnerin Simone Inzaghi: “Interi mund ta humbasë kampionatin vetëm nëse rikthen Inzaghin. Në katër vite ka fituar vetëm një titull. Nuk mund të vihet në diskutim për një ndeshje të vetme, sepse është skuadra më e kompletuar dhe në fund do të fitojë”.
Cassano nuk kurseu as rivalët, duke komentuar rrugëtimin e Milani: “Kanë arritur deri këtu për një mrekulli. Kanë fituar shumë ndeshje pa bindur në lojë. Është e vështirë të imagjinohet që Interi ta humbasë këtë titull”.
Më i ashpër ishte kur foli për sistemin e arbitrimit. Sipas tij, VAR-i nuk ka sjellë përmirësimin e pritur: “Prej pesë vitesh them të njëjtën gjë: VAR-i duhet hequr. Nuk shërben për asgjë. Dua vetëm arbitrin në fushë. Nëse është i mirë, në rregull; nëse gabon, le të pezullohet për tri ndeshje”.
Ai solli si shembull edhe një episod konkret: “Penalltia ndaj Frattesi-t ishte e qartë. Arbitri mund të gabojë, kjo është njerëzore, por çfarë bëjnë ata në VAR? Kjo krijon dyshime. Mund të ketë arbitra të dobët, por sigurisht që VAR-i nuk i ndihmon”.
Deklaratat e Cassano-s pritet të ndezin sërish debatet në Itali, sidomos për rolin e teknologjisë në futboll dhe drejtimin e skuadrave të mëdha.