Skandali me Kupën e Kombeve të Afrikës, reagime të ashpra nga Senegali

Vendimi i fundit i CAF-it ka tronditur futbollin afrikan. Vetëm dy muaj pas triumfit, kupa i është hequr Senegalit dhe i është dorëzuar Marokut, duke shkaktuar një valë të fortë pakënaqësie dhe akuza të rënda nga “Luanët e Terangës”.

Reagimet nuk kanë munguar, sidomos nga protagonistët kryesorë të përfaqësueses senegaleze. Sadio Mané ka qenë ndër më të zëshmit, duke kritikuar ashpër vendimin: “Ajo që ndodhi është e papranueshme. Ky nuk është futbolli për të cilin luftojmë dhe nuk përfaqëson vlerat e Afrikës. Ka shumë korrupsion dhe vendimet jashtë fushe po ndikojnë drejtpërdrejt te rezultatet. Ndihem thellësisht i zhgënjyer, jo vetëm për vendin tim, por për gjithë futbollin afrikan”.

Edhe El Hadji Malick Diouf reagoi me ironi në rrjetet sociale, duke shkruar: “Trofetë fitohen në fushë, jo me email. Natën e mirë”.

Kritikave iu bashkua edhe trajneri i njohur Claude Le Roy, i cili foli për prapaskena të dyshimta: “Ka pasur shumë lëvizje që të bëjnë të mendosh se gjithçka ishte e paracaktuar. Kjo është një goditje për imazhin e CAF-it. Duket sikur Maroku mund të sigurojë gjithçka. Senegali e fitoi këtë trofe në fushë dhe kjo histori sapo ka nisur”.

Situata mbetet e tensionuar dhe pritet të ketë zhvillime të tjera, ndërsa polemikat rreth këtij vendimi po rriten çdo ditë.