I akuzuari për Banjskën: Uniforma ushtarake në fotografi ishte për gjueti, e kisha dhuratë

Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, njëri nga të akuzuarit për sulmin në Banjskë, Dushan Maksimoviç, është pyetur lidhur me një fotografi ku ai shfaqet me uniformë.

Duke u përgjigjur para trupit gjykues, Maksimoviç ka deklaruar se uniforma në fjalë është e gjuetisë dhe nuk ka lidhje me ngjarjet e 24 shtatorit 2023.

“Këtë uniformë e kam marrë që ta shfrytëzoj për gjueti dhe nuk e kam ditur çfarë fotografish do të përdoren në këtë procedurë”, ka thënë ai, duke shtuar se fotografia daton nga dhjetori i vitit 2022.

Ai ka theksuar se është gjuetar aktiv dhe se me këtë aktivitet merret që para pandemisë së koronavirusit. Sipas tij, fotografia është realizuar më 13 dhjetor 2022, rreth 250 ditë para sulmit në Banjskë.

“Kam dashur vetëm ta provoj uniformën, siç provohen të gjitha gjërat që i blejmë. Nuk është e ngjashme me uniformat e përdorura gjatë sulmit”, ka deklaruar Maksimoviç, duke shtuar se uniformën e kishte marrë dhuratë nga një mik i tij që merret me paintball.

Në këtë proces gjyqësor, përveç Maksimoviçit, të akuzuar janë edhe Vladimir Toliç dhe Blagoje Spasojeviç. Dy të fundit kishin zgjedhur të mbroheshin në heshtje në seancën e kaluar, ndërsa sot pritet që Maksimoviç të japë fjalën e tij mbrojtëse.

Në total, për sulmin në Banjskë akuzohen 45 persona. Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë.

Sipas aktakuzës, grupi dyshohet se kishte për qëllim shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë, përmes përdorimit të dhunës së armatosur.

Si organizator kryesor i këtij grupi përmendet Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka pasur rol kyç në koordinimin e sulmit dhe aktiviteteve të tjera kriminale.

Sulmi i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit la të vrarë policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues.

Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar këtë ngjarje si akt terrorist dhe kanë akuzuar Serbinë për përfshirje, pretendime që janë mohuar nga Beogradi zyrtar. Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.