‘Na trego kufitarët e pronës’, përplasja e ashpër e kushërinjve nga Himara, Theodhori: Jemi në proces gjyqësor

Një debat televiziv mbi një çështje pronësie në Himarë është kthyer në një përplasje të ashpër mes dy kushërinjve, Llazar Theodhori dhe Panajot Rondo. Thelbi i konfliktit është pronësia mbi një sipërfaqe toke ku Theodhori ka ndërtuar një servis, ndërkohë që Rondo pretendon se toka i është kthyer familjes së tij me ligjin 7501.

Gjatë një debati në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv me moderator Flavio Qarrin, Llazar Theodhori hodhi akuza të forta, duke pretenduar se dokumentet e kushëririt të tij i referohen një prone tjetër dhe se ngastra në fjalë ka kufij të tjerë, përfshirë edhe tokë shtetërore. Ai shprehu keqardhje që mosmarrëveshja arriti në këtë pikë, duke akuzuar kushëririn se ka vepruar “pas shpine”. Theodhori konfirmoi se çështja është aktualisht në proces gjyqësor. Sipas tij, Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur pushimin e çështjes pa i dhënë të drejtë asnjërës palë, ndërsa ai i është drejtuar Gjykatës së Apelit me rekurs.

Nga ana tjetër, Panajot Rondo këmbëngul se është pronar legjitim i tokës, bazuar në ligjin 7501. Ai deklaroi se i kishte ofruar kushëririt të tij një pjesë nga prona, por oferta ishte refuzuar. Rondo bëri të ditur se ka lidhur një marrëveshje zhvillimi me kompaninë “Beta SHPK” për investime në këtë pronë. I pyetur nëse kjo marrëveshje ishte lidhur në kohën kur bashkëshortja e investitorit Artan Bala ishte kryetare e Bashkisë Himarë, Rondo shmangu një përgjigje direkte, duke u shprehur se ai ka kontraktuar me kompaninë dhe jo me individin.

Përballja zbuloi kompleksitetin e çështjes, ku të dyja palët pretendojnë të drejtën mbi të njëjtën tokë, duke iu referuar trashëgimisë nga gjyshi i përbashkët. Theodhori pretendon se zotëron dokumente për tokën e gjyshit që është e paregjistruar, ndërsa Rondo bazohet te dokumentacioni i përfituar nga ligji për kthimin e pronave.

Ndonëse debati u mbyll me një thirrje nga ana e Theodhorit për negociata për të shmangur rrugën ligjore, konflikti mbetet i pazgjidhur. Kjo mosmarrëveshje familjare pasqyron një problem më të gjerë dhe të hershëm të çështjeve të pronësisë në zonën e Himarës, të cilat vazhdojnë të mbeten një plagë e hapur dhe burim konfliktesh të shumta.

Flavio Qarri: Llazar, na paske gënjyer një çikë dje.

Llazar Theodhori: O, kënaqësi. Unë gjithsesi, kam kënaqësi që po e shoh kushëririn. Kontrolloni pak tokën me çfarë kufitarësh e ka, se ajo tokë është në vend tjetër. Në rast se ka këtu kullotë, kullotë shtet, të vijë nesër kushëriri, po mua më vjen keq që arriti kushëriri im në këtë pozicion, se deri vjet që biseduam kushëri, po të them, deri vjet po të them kushëri, do ta gjenim bashkë. Po më hengri mbas shpine. Gjithsesi të lutem shumë. Do verifikohet prona zotëri, mos u mërzit. Prona do verifikohet që ti e ke një kullotë, shtet, Niko Beleri, pemëtore. Do verifikohet prona, megjithëse t'i thua mua aty që unë jam hajdut. Prona është, e kam ndërtuar pa leje. Mua më vjen turp që po bëj një debat televiziv me ty ore. Se je djalë me shkollë.

Panajot Rondo: Po ku ke turp e cip ti, o Llazar? Më vjen turp…

Flavio Qarri: Po, vetëm një sekondë, të lutem Panajot do ta jap fjalën ty patjetër. Ki besim te moderimi im, të paktën në këto momente.

Llazar Theodhori: Nuk kam, nuk kam asnjë problem. Unë i thashë të miat. Faleminderit shumë.

Flavio Qarri: Patjetër, edhe do të jap sërish fjalën. Çështja është, Llazar, nëse ajo ngastër ku ndodhet servisi yt, i cili me sa di, më the vetë dje nuk është ende i legalizuar por është në proces legalizimi, apo jo? Ajo ngastra e tokës ku është servisi yt, biznesi yt, i është kthyer familjes Rondo me ligjin 7501? Llazar, mos mu tërhiq tani në sekondën e fundit. Kjo është pyetja kryesore.

Llazar Theodhori: Në gjykimin tim nuk ka gjë Lefter Rondo aty se prona është një pronë tjetër që daja do ta marrë këtu. Thuaj të nxjerrë kufitarët, të lutem shumë Flavio.

Flavio Qarri: Më the dje që je në proces gjyqësor për atë tokë?

Llazar Theodhori: Po.

Flavio Qarri: Vazhdon procesi? Ka mbaruar procesi? Në ç'pikë është procesi? Se nëse ka proces mbi një tokë, sikur nuk del leja e ndërtimit.

Llazar Theodhori: Po. Më kanë paditur para tre vjetësh, në Gjykatën e Shkallës së Parë. Në datën 10 dhjetor të 2025-ës, gjykata e shkallës së parë, juridiksioni i Vlorës, për mosparaqitjen e palës paditëse që është Lefter Rondo dhe, dhe Tan Bala, investitor, u bë pushimi i çështjes. Pushimi i çështjes u bë. Nuk i dha të drejtë palës paditëse që është pronar, por nuk kam, nuk më dha të drejtë as mua, që unë jam pronar. Dhe unë, për të, e dija që do të arrija në këto ditë, e kam, kam bërë rekurs në Gjykatën e Apelit. Padia është për zaptim prone, bashkë me Artan Balën.

Llazar Theodhori: Unë kaq po të them, unë po të them që është në proces gjyqësor. Tani ti vazhdo, po deshe do ta, do të ta nis, do të të nis dosje komplet Flavio, e kam këtu në telefon, por nuk di ta punoj mirë telefonin do të nis dosje komplet.

Edhe njëherë po them. Unë jam i negociatave, jam 60 vjeç po jam, di të negocioj.

Panajot Rondo: Është çikë vonë Llazar.

Llazar Theodhori: Ata nuk dinë. S'ka problem. Unë negocioj në çdo çast me...

Panajot Rondo: Nuk negocioj tokën. Unë negocioj tokën me familjen time. Të thashë do të jap pjesë nga pjesa ime. Nuk deshe zotërote. Rri dhe shiko tani si ndërtohet. …

…Tani, ai pretendon për gjyshin, dakord? Gjyshi ishte vetëm i Llazarit apo ishte edhe i imi? Unë flas me 7501-shin. Pyete zotërinë, çfarë toke ka ai dhe çfarë letre ka ai. Llazar, çfarë toke ke ti? Çfarë, çfarë letre ke ti?...