Ndregjoni: Shteti hesht për 6 mijë të zhdukurit e komunizmit, krimet mbeten pa drejtësi
Pas më shumë se tre dekadash nga rënia e diktaturës komuniste, Shqipëria ende përballet me një plagë të hapur dhe të pashëruar: fatin e mbi 6,000 personave të vrarë, të pushkatuar apo të vdekur në burgje, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur kurrë.
Ndërsa qeveria tregon efikasitet në miratimin e dhjetëra vendimeve brenda një dite, prej vitesh ka dështuar të nxjerrë aktet e nevojshme për gjetjen e këtyre viktimave, duke gjetur vetëm 16 vendvarrime në një periudhë të gjatë kohore.
Në studion e ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, presidenti i Unionit të Burgosurve, Besim Ndregjoni, hodhi dritë mbi indiferencën institucionale që ka karakterizuar këtë çështje për 35 vite me radhë. Sipas tij, kërkesat e vazhdueshme të familjarëve dhe shoqatave janë përballur me një heshtje të plotë nga shteti, duke e trajtuar këtë tragjedi kombëtare sikur të mos kishte ndodhur kurrë.
Besim Ndregjoni: Ne kemi 35 vite që kërkojmë në çdo studio televizive, para parlamentit, para çdo lloj parlamenti shqiptar, të ashtuquajtur pluralist, që Shqipëria numëron mbi 6.000 të zhdukur. Mbi 6.000 shqiptarë. Dhe përgjigja është heshtje. Sikur në Shqipëri nuk ka ndodhur, nuk është shkatërruar genomi i popullsisë, nuk janë kryer krime kundra njerëzimit. Dhe më paradoksalja është se pas 16 vitesh pluralizëm, ambasada e OSBE-së bën një konferencë kombëtare dhe ishin të ftuar nga Polonia, Hungaria, isha i ftuar dhe unë, dhe po flisnim për të zhdukurit. Asnjë vend i Europës Juglindore nuk ka mbi 6.000 të zhdukur. Edhe pse janë popullsi më të mëdha se ne. Me miliona, Gjermania e tjerë.
Dhe domethënë nuk, s'kanë pasur probleme edhe me pushkatime, me e me këto regjimet të ashtuquajtura komuniste të bllokut lindor, kurse Shqipëria ka pasur genocid. U vranë në kufi. Në '90 mbasi kishte dalë dekreti i diktatorit Ramiz Alia që kufiri do të quhet masë administrative e kalimit dhe jo masë, detyrim, kështu, dënim penal. Dhe ndodhi një incident në atë mbledhje mes meje dhe prokurorit të diktaturës shqiptare të re, i prokurorisë së përgjithshme, një prokuror i quajtur Sokol Stojani. I cili, prokurori i Polonisë deklaroi, unë shkoj dhe marr dosjen e të burgosurit politik dhe nuk i marr leje shtetit se çfarë do të hetoj. Hetoj dhe e kaloj në gjykatë për shkeljen, dhunimin e të drejtave e lirive të njeriut nga regjimi komunist.
Kur shtrohet pyetja aty për 6.000 të zhdukur, le që u tronditën gjithë salla, këto të huajt po të flas, jo shqiptarët, se shqiptarët buzëqeshin për 6.000 të zhdukur, përgjigja e prokurorit ishte epike. Tha, ata i ka vrarë shteti dhe ne s'kemi të drejtë t'i kërkojmë. Ne tha, u bënë 10 vjet që kërkojmë eshtrat e Remzi Hoxhës dhe nuk po i gjejmë. Nuk merremi me ata që i ka vrarë shteti. Dhe kjo ishte përgjigja më e saktë. Tani çfarë ndodh? Çfarë ndodh me këto të gjeturit? Se si, se si procedon qeveria... Dhe tani çfarë ndodh me qeverinë e Edi Ramës, që është qeveria e bijve të ekzekutorëve të 6.000 burrave e grave.