Gjokutaj: Qeveria po shfrytëzon kredinë e privatizuar për të marrë pronat e qytetarëve

Një vendim i fundit i Këshillit të Ministrave (VKM) për mbledhjen e kredive të pashlyera të marra dekada më parë, ka hapur debate të forta dhe ka ngritur shqetësime serioze ligjore.

I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', avokati genc Gjokutaj tha se ky akt rrezikon të cenojë rëndë të drejtën e pronës dhe të krijojë një precedent të rrezikshëm, duke i hapur rrugë shtetit të sekuestrojë prona për borxhe që duhet të ishin parashkruar.

Sipas avokatit, një nga pikat më të errëta të këtij vendimi lidhet me fatin e këtyre kredive pas privatizimit të bankave me kapital shtetëror.

Ekspertët ngrenë pyetjen se çfarë ka ndodhur me këto portofole borxhesh. A janë blerë ato nga bankat private bashkë me asetet e tjera?

Mungesa e transparencës mbi këtë proces, sipas Gjoktajt lë vend për dyshime mbi legjitimitetin e shtetit për të vepruar si kreditor pas kaq shumë vitesh.

Një tjetër argument thelbësor kundër kësaj VKM-je është çështja e parashkrimit. Shumë prej këtyre kredive, sipas avokatit datojnë më shumë se 30 vjet më parë, një afat kohor që në legjislacionin civil normalisht do të çonte në shuarjen e detyrimit.

Vendimi i qeverisë duket se e anashkalon këtë parim, duke forcuar në mënyrë drastike pozitën e shtetit në kurriz të qytetarit. Ky akt e zbalancon raportin mes kreditorit (shtetit) dhe debitorit, duke i dhënë të parit fuqi pothuajse absolute për ekzekutim.

Frika më e madhe për qytetarët është se pronat e tyre mund të merren përpara se të kenë një mundësi reale për mbrojtje ligjore.

Sistemi gjyqësor, tha avokati shpesh nuk jep pezullim të urdhrave të ekzekutimit. Kjo do të thotë se ndërkohë që një qytetar ndjek betejën ligjore, e cila mund të zgjasë me vite, prona e tij mund të jetë sekuestruar dhe tjetërsuar.

“Pas 10 vitesh gjyq, aty mund të jetë ndërtuar një kullë,” theksohet nga Gjokutaj, duke ilustruar absurditetin dhe pafuqinë e qytetarit përballë këtij mekanizmi. 

Deklarata e plotë:

"Çfarë është bërë me këtë kredi kur është privatizuar banka me kapital shtetëror?  Sepse banka kur privatizohet blen dhe borxhin, blen dhe asetet e bankës. Pra çfarë është bërë? Unë mendoj që këtu është bërë një studim paraprak që është bërë kjo VKM. Ata e dinë shumë mirë se kujt do t'ia ngulin këtë thikë. 

Kjo VKM forcon shtetin, në kurriz të shtetasit. Pra e zbalancon në një mënyrë drastike, shtetin si kreditor edhe duke dëmtuar debitorët.

Sigurisht që ky afat është mbi 30-vjeçar. Ka dhe afate parashkrimi, në rast se ti nuk e ke vjelur, këtë kredi. Pra këtu ka shumë pika të errëta, të cilat do të ndriçohen gjatë kohës që ky  do të ekzekutohet.

Derisa të ekzekutohet ky, e t'ju merret prona njerëzve mbrojtja do vejë në gjykatë. Me këto gjykata që kemi ne, sepse gjykatat tona nuk japin pezullim të ekzekutimit, domethënë, ta pezullojë derisa të japë vendim gjykata.

Ta marrë unë thotë, pastaj ti vazhdo gjyqet mbas 10 vjetëve, atje do jetë ndërtuar kulla, do të jetë bërë ndonjë port, a nuk e di si ta them, sepse nuk ka një material shkoqitës këtu për të thënë për cilat prona bëhet fjalë, prona të luajtshme, prona të paluajtshme, ku janë këto e qysh e tek.

Po unë çuditem edhe vërtet është kuriozitet i madh për të mësuar se si në 30 e ca vjet në këtë shtet që të heq kanatieren pa ta zveshur, ta mbledh top, si ka mundësi paska akoma prona të cilat nuk kanë rënë në syrin e këtij shteti kaq të qenësishëm, siç prezantohet nga i nderuari kryeministër.

Prandaj unë mendoj që asnjë akt ligjor i cili cënon të drejtën e pronës dhe të drejtën e individit për ta zhvilluar pronën, me gjithë vështirësitë që ai mund të ketë në vite, po i gjithë problemi është që nuk sqarohet kalimi nga kapitali shtetëror te kapitali privat. I ka marrë ndoshta privati këto?

E ka ndonjë marrëdhënie privati me debitorin në efiçencë, i'a ka ristrukturuar kredinë në rast se ai ka vështirësi, shtyrje e të tjera e të tjera? Sepse këto duhet llogaritur.

Qëllimi është jo të vjedhësh njerëzit, qëllimi është që ato kredi janë për t'i bërë qira njerëzit, për t'i ndihmuar. Tani del ky miku edhe thotë që, shikoni se e keni ngrënë shumë thotë, e keni shtuar shumë peshë, edhe do të bëj këtë fitnesin që di të bëj ky".