Projekti ndërtimor/ Konflikti për pronën në Himarë, Rondo denoncon djalin e hallës: Po shfrytëzon tokën tonë…
Një konflikt pronësie në Himarë ka vënë përballë dy kushërinj të parë, duke sjellë ndërhyrjen e policisë bashkiake në terren. Nga New York-u duke folur për emisionin e mengjesit Kafe Shqeto në Syri tv Panajot Rondo pretendon se prona e njohur si “Streli” në lagjen Potam i përket familjes së tij me dokumente të ligjshme, ndërsa akuzon kushëririn e tij, Llazar Theodhori, se e ka zaptuar dhe ka ndërtuar një biznes pa leje mbi të.
Sipas zotit Rondo, familja e tij e ka përfituar pronësinë mbi tokën nëpërmjet ligjit 7501, duke poseduar Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) që e identifikon familjen “Lefter Rondo” si pronare legjitime. Ai thekson se zoti Theodhori nuk ka asnjë të drejtë ligjore mbi këtë pronë, pasi sipas tij, ai nuk ka qenë banor i Himarës në vitin 1990, një kusht i domosdoshëm për të përfituar tokë sipas këtij ligji.
“Gjyshi ynë i përbashkët kishte pesë fëmijë dhe shumë nipa e mbesa, por askush tjetër përveç Llazarit nuk pretendon pronësi mbi atë tokë,” deklaroi Rondo gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, duke shtuar se biznesi i ngritur nga kushëriri i tij është i paligjshëm, pasi zhvillohet në një pronë të zaptuar.
Konflikti duket se është ndezur sërish pasi familja Rondo ka dhënë miratimin për një projekt zhvillimor të bashkisë në atë zonë. Zoti Rondo sqaron se çështja është një mosmarrëveshje private dhe nuk ka lidhje me bashkinë, pasi toka është pronë private e familjes së tij.
I pyetur për ndërtimin e kryer nga zoti Theodhori, Rondo e cilëson atë si një ndërtim pa leje në tokë të zaptuar, duke e quajtur absurd faktin që dikush mund të krenohet publikisht për një veprim të tillë.
Flavio Qarri: Do spostohemi sërish në Himarë, jo vetëm për të ndjekur atë që po ndodh me servisin, të cilin e denoncoi qytetari ditën e djeshme, zoti Llazar, por duket se konflikti është edhe më i komplikuar se aq, siç çdo histori toke dhe prone në Shqipëri, por do të bëjmë një lidhje në fakt me New York-un, pasi shumë nga himarjotët kanë emigruar. Personi në fjalë ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ka një pretendim dhe dokumentet shoqëruese që në fakt është pronari i vërtetë i tokës dhe situata komplikohet sigurisht edhe në këto momente që po flasim, por do të doja ta kishim zotin Panajot Rondo nga Himara. Në këto momente që po flasim, policia bashkiake ka shkuar tek prona jote, me sa po kuptoj.
Panajot Rondo: Po. Prona ime dhe e familjes sime.
Flavio Qarri: Po, e familjes Rondo. Tani, ti ke ndjekur sigurisht denoncimin e djeshëm të një zotërie të quajtur Llazar Theodhori, i cili ka një biznes aty, të ligjshëm biznesin, me sa di unë.
Panajot Rondo: I cili është biznes i paligjshëm.
Flavio Qarri: Në kuptimin e pronës apo të aktivitetit?
Panajot Rondo: Në kuptimin e pronës, zotëri.
Flavio Qarri: Në kuptimin e pronës.
Panajot Rondo: Si mund të zhvillosh, si mund të zhvillosh biznes të ligjshëm në pronë që nuk të takon?
Flavio Qarri: E kuptoj. Tani, ju keni një pretendim, unë kam komunikuar me ju, kam komunikuar me familjarë të tjerë tuajit sa i takon pronës. A mund të na tregosh diçka për historikun, të lutem?
Panajot Rondo: Prona është përfituar nga familja ime me ligjin 7501. Toka për të cilën ne bëjmë fjalë, quhet Streli në lagjen Potam. Këtu në këtë letër shkruan e zeza në të bardhë se toka Streli i përket familjes Lefter Rondo. Se ligji 7501 kanë përfituar të gjithë familjarët, jo vetëm një individ. E theksoj.
Flavio Qarri: Tani... para se të vijmë te 7501-shi, të lutem Panajot. Ju keni një histori trashëgimie aty besoj, se me 7501-shin ju nda një pjesë edhe atyre që banonin në fshat në atë periudhë, por edhe për të shmangur konfliktet e atyre që kishin pronësi të vjetra, por të padokumentuara mbi ato prona.
Panajot Rondo: Ligji është ligji që ka pasur Republika e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave zotëri. Nuk jam unë përkatës, domethënë, nuk e bëra unë ligjin. Ky ligj na ndau tokat Banorëve të Himarës. Sepse zotëria në vitin 1990 nuk ka qenë banues i Himarës. Kjo tokë është përfituar nga familja ime me ligjin 7501. Po, zotëria çfarë letre ka? Çfarë letre u tregoi dhe pretendon se ai është pronari i tokës? Për të cilën trashëgimi po flet zotëria?
Flavio Qarri: Ky Llazar Theodhori nuk ka asnjë lidhje me ju, thjesht ka ardhur dhe ka zaptuar tokën tuaj?
Panajot Rondo: Jo zotëri. Llazar Theodhori është kushuriri im i parë, është djali i hallës.
Flavio Qarri: E keni djalë halle.
Panajot Rondo: Po.
Flavio Qarri: Domethënë, i bie keni të njëjtin gjysh. Por ju thoni që ai nuk ka asnjë të drejtë pronësie në Himarë.
Panajot Rondo: Gjyshi kishte pesë fëmijë. Nuk pretendon asnjë nuk pretendon tokë përveç Llazarit. Unë siç ju thashë edhe më parë, toka është e përfituar nga mua dhe nga familja ime.
Zotëria ku i ka familjarët që pretendojnë për tokë? Okej. Flasim me letra. Flasim me letra se ai mund të nxjerrë vëllezërit e tij dhe të thotë që unë pretendoj edhe unë pretendoj edhe tjetri pretendon. Flasim me letra. Zotëria mund të flasë vetëm për ndërtime pa leje, vetëm për zaptime. Del në televizion kombëtar dhe i bie gjoksit dhe thotë kam ndërtuar pa leje. Apo e kam gabim?
Flavio Qarri: Po, kështu tha për '98-ën dhe ka qenë në një proces të gjatë legalizimi.
Panajot Rondo: Po, cili proces? Në cilën tokë? Në tokë të zaptuar, si mund ta legalizosh ti në tokë të zaptuar? Është absurde, domethënë të jesh krenar që ke ndërtuar pa leje dhe të dalësh në televizionin kombëtar. Kjo gjë më bëri që të dal dhe unë edhe të marr fjalën sot edhe të vë ca gjëra në vend.
Zotëria pretendon se toka është vetëm e tija. Unë jam munduar të zgjidh çdo marrëveshje, si vëllazëri, si familje, si domethënë na takon neve shqiptarëve apo himariotëve. Ai nuk zbaton asnjë ligj, asnjë kanun. Ai di vetëm ligjin e zaptimit zotëri. E kuptoj, po prapë nuk mu përgjigje për pyetjen që ju bëra.
Flavio Qarri: Në '98-ën, '99-ën, keni pasur një komunikim me të që kjo ishte toka juaj
Panajot Rondo: Zotëri, ne kemi pasur komunikim. Asnjëherë s’ka pretenduar deri në vitin 2004 se toka ka qenë e tija. Ka qenë gjithmonë në bashkëpunim me babain tim dhe ka thënë gjithmonë kur të duhet toka, dajo, unë dal nga toka. Mirëpo në vitin 2004 ka qenë denoncimi i parë, që ai nuk doli nga toka dhe ne denoncuam si familje.
Flavio Qarri: Tani, vijmë pak tek bashkia. Ju keni firmosur besoj për projektin që po zhvillohet aty.
Panajot Rondo: Po zotëri. Prandaj ai mundohet ta bëjë politike gjënë. Bashkia nuk ka asnjë lidhje. Kryetari, nënkryetari, organet...
Flavio Qarri: Në ç'kuptim s'ka lidhje bashkia? Se nëse ju i keni letrat...
Panajot Rondo: Nuk ka lidhje me tokën zotëri. Toka është private, është e familjes Lefter Rondo. Besoj se isha i qartë.