‘Keni edhe 10 minuta për të fituar’/ Audio e VAR-it trondit Italinë pas Inter-Atalanta

Një skandal i madh ka shpërthyer në futbollin italian pas ndeshjes mes Interit dhe Atalantës, e cila u mbyll në barazim 1-1 dhe u shoqërua me polemika të forta për arbitrimin.

Zikaltrit kanë pretenduar se janë dëmtuar nga vendimet e gjyqtarit kryesor, por ajo që ka ndezur edhe më shumë debatet janë audiot e publikuara nga sistemi VAR për episodet më të diskutueshme të takimit.

Në një nga këto komunikime dëgjohet dialogu mes gjyqtarit dhe mbrojtësit të Interit, Denzel Dumfries, në momentin kur ky i fundit kërkonte anulimin e golit të Atalantës për një faull të pretenduar ndaj tij.

Futbollisti proteston duke theksuar se kundërshtari i ka kapur këmbën, ndërsa gjyqtari i përgjigjet: “Ke rrëshqitur, nuk e ke vënë re”.

Dumfries nuk bie dakord dhe vazhdon të kundërshtojë vendimin.

Por ajo që ka shkaktuar reagimin më të madh është fraza e mëvonshme e arbitrit: “Nuk e ke vënë re. Keni ende 10 minuta kohë që të mund të fitoni, shko”.

Ky komunikim është konsideruar i papërshtatshëm dhe jo profesional, duke nxitur reagime të shumta nga tifozët në rrjetet sociale, të cilët e kanë cilësuar situatën si skandaloze.

Debati mbi arbitrimin në Serie A rikthehet kështu në qendër të vëmendjes, ndërsa priten reagime zyrtare për këtë episod që ka tronditur opinionin sportiv.