Oga: Televizioni ka humbur misionin edukues, rënia kulturore në Shqipëri pasojë e medias dhe arsimit të dobët

Ai ka vite që bën televizion, edhe pse në fakt profesioni i tij i vërtetë është mjek, ose të paktën në diplomën e tij kështu shkruhet. Edi Oga ka zgjedhur të ndryshojë profesionin e tij. Se pse është tjetër histori. Ne dimë që do ta kishim njohur shumë më pak nëse do kishte zgjedhur profesionin për të cilin u diplomua.

I ftuar në emisionin ‘A SHOW’ me Adi Krastën, Gazetari Edi Oga foli për rënien e nivelit kulturor në Shqipëri dhe ndikimin e medias, veçanërisht të televizionit, në formimin e një shoqërie të informuar.

Oga shpjegoi se, pavarësisht zhvillimeve të mëdha teknologjike, televizioni, dikur një mjet edukues dhe bashkues për shoqërinë, ka humbur këtë rol dhe ka kontribuar në rënien e dijes bazë mes qytetarëve.

Ai e cilësoi këtë si një fenomen të përsëritur që ka çuar në një "kurth mediatik", ku publiku nuk është më në gjendje të dallojë fakte dhe informacione themelore.

Pjesë nga deklarata:

Po të marrim rastin specifik, është i përsëritur. Ata e bëjnë këtë, është një lloj kurthi, mund të jetë edhe një truk. Unë mendoj që, pavarësisht epokës dhe teknologjisë, njerëzit duhet të kenë disa konstante, disa dije që janë një emërues i përbashkët i njerëzve. Duhet të lidhen me ngjarje, data, persona që janë të domosdoshme, sepse është minimumi i kulturës bazike që të identifikon si qytetar, si person. Pastaj dikush mban mend më shumë, dikush më pak. Në atë rast, disa prej tyre ndoshta e kanë kuptuar, mund të mos i kenë ditur përgjigjet, por kanë bërë një digresion të madh. Ata duan të të vënë në lojë, por po i vëmë ne.

Tani ka një gjë. Televizioni ka lindur si një bashkues i fuqishëm, si një mision edukues, për hapje kulture. Po pak nga pak, për arsye që ne të dy i dimë, por nuk i themi shpesh, e ka humbur këtë mision dhe ka krijuar disa gjëra që nuk mësohen as në shkollë. Tani televizioni nuk ka këtë lëndë më, ka një tjetër qasje. Të ofron gjëra të tjera dhe fatkeqësisht, shumë e kanë braktisur televizionin.

Rai ka bashkuar Italinë. Italia ka qenë një grumbull dialektesh, provincash, njerëzish të pakulturuar, por televizioni i ka bashkuar ata. Ne e dimë që Rai ka krijuar këtë ndjesi uniteti. Na vjen keq për këtë gjë, por nuk e dimë se si do të shkojë.

George Carlin ka një citat të bukur për këtë, ku thotë: “Ju nuk e keni idenë se sa injorant është shikuesi mesatar. Pastaj imagjinoni si janë ata të tjerët që janë në gjysmën poshtë.” Fatkeqësisht, duhet ta pranojmë që jemi përgatitur për një audiencë që kërkon më shumë, por mesatarja e shikuesve, jo vetëm intelektualisht, ka humbur dëshirën për të ndjekur media.

Babai im ka qenë drejtues për shumë kohë. Unë kam qenë, në njëfarë mënyre, imazhi i tij. Kur prindërit janë mirë, është një gëzim i madh. Kjo më kujton një periudhë të jashtëzakonshme të fëmijërisë sonë, ku lodrat i bënim vetë. Ndërkohë sot, fëmijët janë ndryshe. Ata janë të ekspozuar ndaj një informacioni shumë më të madh se sa kishim ne. Po, absolutisht, im bir di shumë më shumë se sa dija unë kur isha 20. Por ajo që më tremb është manualiteti, nuk di nëse ata do të jenë në gjendje të bëjnë asgjë të thjeshtë si të ngulin një gozhdë.

Fëmijët e mi kanë celularë të vjetër dhe nuk kanë rroba të shtrenjta. Me paratë që më teprojnë, udhëtojmë, dua t’u tregoj se si është bota, një gjë që ne nuk e kishim mundësinë ta shihnim.

Në vitin e ri, ka qenë shumë ftohtë, por janë kënaqur. Parisi është një qytet që të godet, dhe çdo njeri mrekullohet për herë të parë, sidomos kur sheh Kullën Eiffel. Mua më përndjek ky objekt, sidomos kur është i ndriçuar natën. Dhe sa herë kam mundësi, shkoj tek ajo.