Pastroi 2 milionë euro dhe skemë mashtrimi me bileta avioni, arrestohet në Kosovë
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar një person të dyshuar për pastrim parash në vlerë mbi 2 milionë euro, pas hetimeve që lidhen me një skemë mashtrimi me bileta avioni.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ndaj gjashtë shtetasve kosovarë, të dyshuar se në bashkëpunim kanë kryer veprën penale të mashtrimit. Ata dyshohet se, nga viti 2015 deri në vitin 2019, kanë mashtruar qytetarë përmes shitjes së avio-biletave, për çka janë ngritur edhe kallëzime penale në prokuroritë përkatëse.
Gjatë hetimeve, policia ka siguruar prova se njëri prej të dyshuarve, përveç mashtrimeve, ka qenë i përfshirë edhe në pastrimin e parave përmes kompanive të kontrolluara prej tij. Këto kompani rezultojnë të jenë në pronësi të personit të arrestuar dhe dyshohet se janë përdorur për të fshehur origjinën e të ardhurave të paligjshme.
Sipas autoriteteve, vlera e parave të pastruara përmes kësaj skeme tejkalon 2 milionë euro. Gjithashtu, hetimet financiare kanë zbuluar se i dyshuari ka kryer edhe depozitime në para të gatshme mbi 800 mijë euro, për të cilat nuk është provuar burimi dhe nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar ekonomik.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, prokurori i rastit ka vendosur ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.
KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA POLICIA E KOSOVËS DHE PROKURORIA SPECIALE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale arrestojnë të dyshuarin për pastrim parashë në vlerë mbi 2 milion euro
Prishtinë, më 17 mars 2026
Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës ka zhvilluar hetime ndaj gjashtë të dyshuarve meshkuj kosovarë nën dyshimin e bazuar se në bashkëveprim kanë kryer veprat penale të mashtrimit.
Personat në fjalë dyshohet se ndaj shtetasve të Kosovës në vazhdimësi nga viti 2015 deri në vitin 2019 kanë kryer mashtrime me avio-bileta, për çka edhe ndaj tyre janë ngritur kallëzime penale në prokuroritë përkatëse.
Policia e Kosovës gjatë punës hetimore ka arritur të siguroj dëshmi se njëri nga të dyshuarit i cili ka qenë në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me mashtrime në shitjen e avio-biletave, po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në pastrimin e parave përmes kompanive të kontrolluara prej tij.
Kompanitë e përdorura për këtë skemë kanë rezultuar se janë në pronësi të të dyshuarit i cili është arrestuar.
Vlera totale e parave që dyshohet se janë pastruar përmes kompanive tejkalon shumën prej 2,000,000.00 euro (dy milion euro), po ashtu nga hetimet financiare rezulton se vetë i dyshuari po ashtu ka kryer deponime në para të gatshme mbi 800,000.00 euro (tetëqind mijë euro) për të cilat nuk është dëshmuar prejardhja e tyre dhe të njëjtat nuk janë justifikuar me aktivitetin ekonomik të deklaruar.
Lidhur me rastin pas intervistimit të personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës, ndaj të njëjtit prokurori ka lëshuar vendim për ndalim prej 48 orësh.