Si dështoi basti i Mohammed bin Salmanit ndaj Iranit

Nga Ahmed Al Omran në Xheda

dhe Andrew England në Londër

Brenda pak vitesh, princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, kaloi nga paralajmërimet kundër ‘zbutjes’ së udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të cilin e quajti ‘Hitleri i ri i Lindjes së Mesme’, në nisjen e një afrimi historik me Teheranin.

Në një nga lëvizjet kryesore të politikës së tij të jashtme, princi Mohammed u përpoq të ulte armiqësinë shumëvjeçare mes mbretërisë së tij sunite dhe teokracisë shiite, duke besuar se dialogu ishte mënyra më e mirë për të krijuar stabilitetin rajonal të nevojshëm për vizionin e tij ambicioz ekonomik.

Tani janë realizuar frikërat e tij më të mëdha. Që kur SHBA-ja dhe Izraeli sulmuan Iranin dy javë më parë, regjimi islamik ka goditur vazhdimisht Arabinë Saudite dhe fqinjët e saj në Gjirin Persik, duke shënjestruar bazat amerikane në mbretëri, ambasadën amerikane në Riad, rafinerinë e madhe Ras Tanura dhe fushën gjigante të naftës Shaybah.

‘Kjo ishte gjëja e fundit që ai donte. Ai kërkon stabilitet dhe rend, nuk do raketa dhe dronë që fluturojnë gjithandej,’ tha Bernard Haykel, profesor i studimeve të Lindjes së Afërt në Universitetin Princeton, i cili komunikon me princin Mohammed. ‘Ai nuk e donte aspak këtë.’

Sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më shumë rrezikon përpjekjen e princit të kurorës për të bindur investitorët e huaj të mbështesin projektet e tij gjigante dhe për ta paraqitur mbretërinë si një qendër tregtie, turizmi dhe financash. Formula 1 tashmë ka anuluar garat në Arabinë Saudite dhe Bahrein, të planifikuara për në prill, për shkak të luftës.

Deri tani, mbretëria nuk është goditur aq rëndë sa shtete të tjera të Gjirit, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Katari, të cilat kanë përballuar më shumë sulme me raketa dhe dronë iranianë. Aksesi në Detin e Kuq i lejon gjithashtu të shmangë Ngushticën e Hormuzit, rrugë strategjike detare që praktikisht është bllokuar nga sulmet iraniane, dhe të vazhdojë transportin e mallrave dhe naftës.

‘Sigurisht që mbetemi të kujdesshëm, por duhet të ulim zhurmën për të kuptuar më mirë çfarë po ndodh këtu,’ tha një zyrtar saudit. ‘Pothuajse gjithçka vazhdon si zakonisht.’

Megjithatë, Amin Nasser, drejtori ekzekutiv i gjigantit shtetëror energjetik Saudi Aramco, paralajmëroi javën e kaluar për ‘pasoja katastrofike’ për ekonominë botërore nëse lufta vazhdon, duke theksuar shqetësimet e Riadit. ‘Kjo është kriza më e madhe me të cilën është përballur industria e naftës dhe gazit në rajon,’ tha ai.

Firas Maksad, drejtor për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Eurasia Group, tha se konflikti është një goditje për planin Vision 2030 të princit Mohammed për transformimin e ekonomisë dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte. ‘Ata tashmë nuk po i arrinin objektivat,’ tha ai. ‘Tani do të duhet të përqendrohen edhe në gjëra të tjera. Shpenzimet do të orientohen drejt mbrojtjes. Afatet do të zgjasin shumë më tepër.’

Sipas analistëve, ka pak rezultate pozitive për Arabinë Saudite ose shtetet e tjera të Gjirit.

Publikisht, Arabia Saudite ka dënuar Iranin dhe ka bërë thirrje për ulje të tensioneve. Por udhëheqësit e Gjirit ndodhen tani mes dëshirës që konflikti të përfundojë dhe frikës se, nëse presidenti amerikan Donald Trump e ndalon papritur ofensivën, lufta mund të lërë pas një regjim islamik të plagosur, më të guximshëm dhe më radikal në pragun e tyre.

Një person i njohur me qëndrimin e Riadit tha se Arabia Saudite nuk dëshiron ndryshim regjimi në Iran, por një republikë më e dobësuar do të ishte në interes të mbretërisë. ‘Ka një kosto për atë që po ndodh, por deri në çfarë mase duhet të thuhet: 'Mos ndaloni tani, shtyjeni edhe pak',’ tha ai. ‘Nuk duhet ta lini këtë histori në një situatë pa zgjidhje.’

Edhe pse shtetet e Gjirit kishin punuar për të shmangur luftën që në fillim, Maksad tha se disa tani duan që Trump ‘ta përfundojë punën’, edhe pse ‘çfarë do të thotë kjo mbetet një pyetje tjetër’.

‘Disa kanë frikë nga kaosi,’ tha ai. ‘Por për të gjithë do të thotë dobësim i ndjeshëm i aftësisë së Iranit për të lëshuar raketa dhe dronë kundër tyre, pra, të paktën ulje e mëtejshme e kapaciteteve të Iranit.’ Një zyrtar saudit mohoi për Al Arabiya një raport se princi Mohammed i kishte kërkuar Trump-it të vazhdonte sulmet ndaj Iranit.

Një shqetësim tjetër, nëse konflikti nuk përfundon, është se luftimet e vazhdueshme mund të çojnë në përfshirjen e rebelëve huthi të mbështetur nga Irani, të cilët lëshuan qindra dronë dhe raketa ndaj mbretërisë pasi ajo ndërhyri në luftën civile të Jemenit në vitin 2015. Një armëpushim i brishtë mes Riadit dhe huthive ka qëndruar në fuqi që nga viti 2022.

Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit kanë qenë prej kohësh të kujdesshme ndaj kërcënimit që paraqet Irani për rajonin që nga revolucioni islamik i vitit 1979, duke e parë atë si një forcë destabilizuese në Lindjen e Mesme. Megjithatë, Riadi rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2023, përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kina, për të ulur tensionet pas një ndërprerjeje shtatëvjeçare.

Të dyja palët mbajtën kanale të rregullta komunikimi, vëllai i princit të kurorës, ministri i mbrojtjes princi Khalid bin Salman, u takua vitin e kaluar në Teheran me udhëheqësin suprem Khamenei, gjatë dy viteve të konflikteve rajonale të nxitura nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit u rritën muajt e fundit, princi Mohammed u përpoq ta mbante mbretërinë jashtë çdo konflikti, duke i thënë presidentit iranian Masoud Pezeshkian në janar se Riadi nuk do të lejonte përdorimin e hapësirës ajrore apo territorit të tij për veprime ushtarake.

Por kjo pati pak efekt, pasi republika islamike, duke luftuar atë që e konsideron një betejë ekzistenciale, sulmoi shtetet e Gjirit në një strategji që synon të rrisë koston për SHBA-në dhe aleatët e saj.

‘Princi Mohammed shpresonte me çdo kusht që Arabia Saudite të mos sulmohej,’ tha Haykel. ‘Iranianët gjithashtu i sinjalizuan se: 'Nëse përballemi me një kërcënim ekzistencial, do të ndjekim një politikë të tokës së djegur; do ta përfshijmë gjithë rajonin në konflikt që amerikanët të paguajnë një çmim shumë të lartë.' Dhe pikërisht këtë po bëjnë.’

Haykel shtoi se Riadi po angazhonte Pakistanin, një fuqi bërthamore me të cilin nënshkroi një pakt të përbashkët mbrojtjeje në shtator, si dhe Kinën, blerësin kryesor të naftës saudite dhe iraniane, për të ushtruar presion ndaj Teheranit që të ulte tensionet me mbretërinë.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, këtë muaj paralajmëroi homologun e tij iranian të mos sulmonte Arabinë Saudite, duke iu referuar paktit të mbrojtjes me Riadin. Dar tha se kjo kishte ndihmuar që ‘sulmet me raketa ose dronë të mbeteshin në minimum’, megjithëse goditjet e përditshme kanë vazhduar.

Baza ajrore saudite Prince Sultan në al-Kharj, ku janë të dislokuara forca amerikane, ka qenë shpesh objektiv i sulmeve iraniane, ku është vrarë një ushtar amerikan. Dy punonjës të huaj janë vrarë gjithashtu në sulme të tjera.

Këto sulme kanë nxitur spekulime nëse Riadi mund të hapë përfundimisht hapësirën e tij ajrore për operacionet ushtarake amerikane, apo edhe të përfshihet drejtpërdrejt në konflikt nëse goditen rëndë objektet e tij të naftës, si në vitin 2019, kur një sulm me raketa dhe dronë, për të cilin u fajësua Irani, ndaloi përkohësisht gjysmën e prodhimit të naftës së mbretërisë.

Sipas një burimi të njohur me çështjen, komunikimi mes Riadit dhe Teheranit vazhdon ende, por përmes ambasadorëve dhe jo në nivele më të larta. ‘Është zhdukur iluzioni se mund të ndërtohej një marrëdhënie e mirë funksionale me Iranin,’ tha ai.

Sipas të njëjtit burim, ekziston edhe pakënaqësi ndaj administratës Trump dhe Izraelit për përfshirjen e Arabisë Saudite në një luftë për të cilën shtetet e Gjirit kishin paralajmëruar se do të kishte pasoja të rënda për rajonin.

‘Ka zhgënjim për faktin se Shtetet e Bashkuara jo vetëm që po i detyrojnë shtetet e Gjirit të përballen me pasojat e luftës së tyre, por në thelb po zhvillojnë luftën e [kryeministrit izraelit Benjamin] Netanyahut,’ tha Aziz Alghashian, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Arab Naif për Shkencat e Sigurisë në Riad.

Burimi shtoi se Riadi ‘nuk është i pakënaqur’ me mbështetjen mbrojtëse të SHBA-së, duke theksuar se mbretëria po merr sisteme amerikane për kapjen e raketave ‘në masën e mundshme’, duke pasur parasysh kërkesën e lartë nga shtetet e tjera të Gjirit dhe Izraeli.

Uashingtoni dhe Riadi nënshkruan një pakt mbrojtjeje kur Trump priti princin Mohammed në Shtëpinë e Bardhë në nëntor.

Megjithatë, pavarësisht marrëdhënies së mirë mes dy liderëve, që daton që nga mandati i parë i presidentit amerikan, konflikti ka theksuar arsyet pse Riadi mbetet i kujdesshëm ndaj stilit transaksional dhe paparashikueshmërisë së Trump-it.

‘Të gjithë e dinin se ai është një person transaksional dhe i paparashikueshëm,’ tha Haykel. ‘A janë të kënaqur me këtë? Jo. Por çfarë mund të bëjnë? Ai është presidenti i Shteteve të Bashkuara.’

/Financial Times-SYRI.net