Irani konfirmon vrasjen e komandantit të milicëve! Media: SHBA-së i ka kushtuar 12 mld $ lufta deri tani
Forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë konfirmuar vdekjen e Gholamreza Soleimani, komandantit të milicisë Basij. Sipas një deklarate, Garda Revolucionare e quajti “vrasje frikacake” dhe tregon “peshën dhe rolin e Basij” në “betejën” e tyre kundër SHBA-së dhe Izraelit.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se sot kanë sulmuar forcat Basij në “më shumë se 10 lokacione të ndryshme” në Teheran.
Basij është një milici vullnetare me rreth një milion anëtarë të përllogaritur, të cilët shpesh mobilizohen në rrugë për të përdorur forcën ndaj protestuesve dhe për të shtypur pakënaqësinë. Milicia kontrollohet nga IRGC.
Ndërkohë media amerikane shkruan se lufta në Iran deri tani ka kushtuar SHBA-së 12 miliardë dollarë. Kjo llogaritje vjen nga një zyrtar i administratës Trump. Shuma mund të jetë e ulët në krahasim me kostot reale, pasi nuk përfshin as vendosjen e forcave para sulmit, as shpenzimet afatgjata për zëvendësimin e armëve të përdorura.
Sipas Center for Strategic and International Studies – raporton Time – fillimisht u vlerësua se 100 orët e para të operacionit kishin kushtuar 891.4 milionë dollarë në ditë. Ky ritëm i lartë mund ta shtyjë administratën të kërkojë së shpejti fonde të reja.