Donnarumma apo Courtois? Capello zgjedh: Janë më të mirët, por belgu ka një avantazh
Sfida mes Manchester City-t dhe Real Madrid në UEFA Champions League nuk është vetëm një duel mes dy gjigantëve europianë, por edhe një përballje mes dy portierëve më të mirë të momentit: Gianluigi Donnarumma dhe Thibaut Courtois.
Ish-trajneri i njohur Fabio Capello ka dhënë mendimin e tij për këtë duel nga studiot televizive, duke i cilësuar të dy si më të mirët në botë aktualisht. “Sipas meje, po. Janë dy portierë shumë të fortë dhe të aftë në të gjitha aspektet e lojës”, u shpreh Capello.
Megjithatë, italiani vuri në dukje edhe disa dallime mes tyre. Sipas tij, Donnarumma ka ndonjë vështirësi në daljet për topat e lartë, pasi nuk është shumë i shpejtë në lëvizjen me këmbë. Nga ana tjetër, Courtois paraqitet më i kompletuar në këtë aspekt.
“Duhet të them se Courtois është edhe më i mirë me këmbë kur godet topin”, shtoi Capello, duke theksuar një nga avantazhet kryesore të portierit belg.
Në një ndeshje kaq të rëndësishme, performanca e portierëve mund të jetë vendimtare, dhe dueli Donnarumma-Courtois pritet të jetë një nga elementët kyç që do të ndikojë në fatin e kualifikimit.