Nga Shqipëria në SHBA, historia e Lekës, qeni i abuzuar gjen strehë dhe shpreson që të adoptohet

Një qen i quajtur Leka, me origjinë nga Shqipëria, ka gjetur një familje kujdestare në Raleigh të Karolinës së Veriut, pas një historie të dhimbshme abuzimi dhe mbijetese në rrugë.

Sipas organizatës Freedom Ride Rescue, Leka mbërriti në SHBA më 9 mars, pasi një strehë kafshësh në Shqipëri kërkoi ndihmë për t’i siguruar një jetë më të mirë.

Themeluesja e organizatës, Molly Doll, tha se qeni kishte përjetuar abuzim të rëndë nga pronarët e mëparshëm, duke u goditur dhe lënë shpesh pa ushqim. Më pas, ai kaloi shtatë muaj duke mbijetuar në rrugë me qen të tjerë endacakë.

Falë ndihmës së qytetarëve dhe një grupi shpëtimi në Shqipëri, Leka arriti të marrë trajtim veterinar dhe kujdesin e nevojshëm.

Shpëtimi i tij u bë i mundur përmes një bashkëpunimi me Neuse River Golden Retriever Rescue, e cila kishte planifikuar një mision në Shqipëri. Pas koordinimit me Freedom Ride Rescue, u sigurua transporti i Lekës drejt SHBA-së dhe një familje kujdestare në Raleigh.

Aktualisht, Leka është në kërkim të një familjeje adoptuese. Ai përshkruhet si një qen i qetë dhe i dashur, 5 vjeç, i socializuar me kafshë të tjera dhe i përshtatshëm për një ambient të qetë familjar.

Organizata thekson se ai ka nevojë për një shtëpi të qëndrueshme, ku të ndihet i sigurt dhe të rikuperohet plotësisht nga e kaluara e tij.

Leka është një nga dhjetëra qentë që presin adoptim përmes Freedom Ride Rescue, ndërsa historia e tij konsiderohet një shembull i rëndësishëm i shpëtimit dhe solidaritetit ndërkombëtar për mbrojtjen e kafshëve.