Letra Rama – Vuçiç/ 'Mos na prekni', Bushkolaj: Përdorin kartën e destabilizimit për t’i bërë presion BE!

Një letër e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, e dërguar në Bruksel, shihet si një lëvizje strategjike për të përdorur "kartën e destabilizimit" si një mjet presioni ndaj Bashkimit Evropian.

I ftuar në emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv, redaktori Elkier Bushkolaj u shpreh se letra u publikua në një ditë simbolike, më 26 shkurt, ditë në të cilën Kosova përkujtonte masakrën e Drenicës.

Për Bushkolajn, letra mund të lexohet si një sinjal se të dy liderët, të gjendur në vështirësi brenda vendeve të tyre, po pozicionohen si faktorë kyçë, të aftë të shkaktojnë ose të parandalojnë trazira në rajon.

Sipas tij, Rama dhe Vuçiç po i ofrohen BE-së si një "paketë", duke lënë të kuptohet se çdo presion ndaj tyre mund të ketë pasoja për stabilitetin e Ballkanit.

Në themel të këtij partneriteti politik qëndrojnë presione të forta të brendshme. Presidenti Vuçiç përballet me protesta masive dhe skandale që përfshijnë vëllain e tij në çështje të trafikut të drogës. Nga ana tjetër, kryeministri Rama cilësohet si i "rrethuar nga skandalet", duke nisur nga akuzat për lidhje me kartelet e drogës, të cilat kanë tërhequr kritika jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara por së fundmi edhe nga Bashkimi Evropian, deri te aferat korruptive.

Dallimi thelbësor, sipas Bushkolajt, është se në Shqipëri paratë e drogës dhe të krimit të organizuar janë ndërlidhur thellësisht me pushtetin, duke u pastruar përmes investimeve strategjike dhe duke e vendosur kryeministrin në krye të kësaj "piramide".

Iniciativa "Open Balkan", e promovuar fuqishëm nga Rama dhe Vuçiç, shihet si arkitektura politike që përkoi me "kulmin e lulëzimit" të karteleve shqiptare dhe serbe të drogës. Dosje nga partnerët ndërkombëtarë tregojnë se periudha 2019-2023, që korrespondon me periudhën më aktive të "Open Balkan", ishte gjithashtu koha e pikut të veprimtarisë së këtyre grupeve kriminale, shtoi ndë rtë tjera Bushkolaj.

Në 26 shkurt, ditën kur u publikua ajo letër, në Kosovë përkujtoi një masakër, është masakra e Drenicës, ku janë rreth 26 të vrarë në dy fshatra dhe në vend që të kishim një përkujtimore po themi për atë masakër, ne pamë një letër të përbashkët. Por nëse shohim kohën kur erdhi kjo letër e përbashkët, kupton dy gjëra, që edhe Vuçiç edhe Rama në vendet e tyre respektive janë në vështirësi. Vuçiç për shkak të atyre protestave dhe skandaleve që kanë përfshirë vëllain e tij për çështjen e trafikut të drogës. Ndërkohë që këtu kemi në një situatë të ngjashme, kemi kryeministrin Edi Rama, i cili është i rrethuar kudo nga skandalet. Nga skandalet për kartelet e drogës, për të cilën e sulmon edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por së fundmi, për fat të mirë, edhe Bashkimi Europian.

Ndërkohë që ka dhe skandalin me akte korruptive. Por dallimi është që në Shqipëri këto janë të ndërlidhura në mënyrë, janë si një nyje gordiane. Pse? Se paratë e drogës edhe paratë e krimit këtu pastrohen në një vend, pra hidhen në një shtrat edhe pastrohen aty. Dhe në krye të kësaj piramide është vetë kryeministri i vendit dhe në këtë situatë edhe Rama dhe Vuçiç me sa duket, përdorin kartën që e kanë përdorur dhe herë të tjera, kartën e destabilizimit. Dhe dalin të dy në sytë e Bashkimit Europian që janë njerëz që mund të destabilizojnë rajonin. Se çfarë ndodhi? Pas asaj letrës të, pas asaj letrës së përbashkët drejtuar Bashkimit Europian, ne kemi pasur disa tentativa të tjera nga Serbia. Kemi Aleksandër Vuçiç i cili poston në profilet e tij në rrjetet sociale postime të tipit që Kosova është Serbi, Kosova është zemra e Serbisë. Kemi ish-shefin e shërbimit sekret Aleksandër Vulin, i cili në një reagim të tij theksonte se pse Serbia të mos hyjë në Kosovë me skenare Mossadi, pra për Kurtin edhe për njerëzit e afërt. Bëri analogjinë.

Ndërkohë që kemi dhe krijimin e një konflikti, po themi, artificial në atë që është trekëndëshi Zagreb-Prishtinë-Tiranë, ose aludime apo dritë-hije të Vuçiçit, i cili aludon për një aleancë ushtarake për, paradoksi është që në Tiranë është bashkëpunëtori i tij më i besuar. Që në të njëjtën kohë, në një intervistë për mediat turke, shpreh shqetësim se si Kosova është shqetësimi kryesor i Aleksandër Vuçiçit. Pra është një situatë shumë e koklavitur, por thelbi i gjithë kësaj situate dhe gjithë kësaj panorame është që Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç po i ofrohen Bashkimit Europian si paketë, që ne jemi njerëz që destabilizojmë Ballkanin nëse ju synoni të na prekni.  Ne duhet të kemi parasysh, kur flasim për Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiç, duhet të kemi parasysh që janë arkitektët e Ballkanit të Hapur. Lideri i asaj kohe Abazoviç apo kush ka qenë i Malit të Zi dhe të tjerët ishin të gjithë periferikë. Por duhet të kemi parasysh që këto kanë dhe një emërues tjetër të përbashkët që ne na e ka sinjalizuar DASH, që janë kartelet e drogës.

Vizita e zotit Dumani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe reagimi i DASH për këtë vizitë ishte i qartë. Në fokus të bisedës ishin kartelet shqiptare të drogës dhe kartelet serbe. Çfarë do të thotë? Do të thotë që këtu ka pasur një bashkëpunim në Amerikën Latine mes karteleve shqiptare të drogës dhe karteleve serbe. Dhe jo rastësisht kemi shkëmbimin e vizitave të homologëve nga Serbia, pra Dumanit me homologun e tij serb me vizita. Se çfarë ka ndodhur? Gjatë kohës që këtu diskutohej Open Balkan, ka qenë kulmi i lulëzimit të karteleve shqiptare.

Tani, ato që janë kartele shqiptare janë në projeksion rënës dhe këtë e tregojnë dosjet e ardhura nga partnerët që na tregojnë që viti 2019 me 2023-shin po themi ka qenë kulmi i lulëzimit, që për ironi të fatit kjo periudhë na përkon edhe me kulmin e lulëzimit të Open Balkan. Tani është çështja e menaxhimit të parave dhe qartazi këtu po flasim për miliona euro, se ne po flasim për Durrës Yacht Marina, kemi projekte të ngjashme në Beograd, pavarësisht se mund të ketë dështuar Alabari, ka Alabar të tjerë plot Serbia që janë të gatshëm të marrin përsipër që të pastrojnë paratë e krimit. Por në themel të kësaj gjëje është dëmi që i shkaktohet Shqipërisë edhe Kosovës dhe gjithë faktorit shqiptar në rajon.