‘Atlético nuk është skuadër më e mirë se ne’, Tottenhami synon përmbysjen historike

Igor Tudor, trajner i Tottenham Hotspur, analizoi sfidën e radhës ndaj Atlético Madridit, ku londinezët duhet të përmbysin një disavantazh prej tre golash për të kaluar në çerekfinalet e UEFA Champions League.

Tudor theksoi rëndësinë e ndeshjes, por pa humbur fokusin te kampionati: “Është një ndeshje që duhet ta luajmë për të kaluar, edhe pse prioriteti ynë mbetet Premier League. Në ndeshjen e parë treguam që mund t’u bëjmë dëm. Ata nuk janë më të mirë se ne”, deklaroi trajneri kroat.

Ai shtoi me optimizëm se përmbysja është e mundshme: “Nuk është e pamundur. Duhet të jemi plotësisht të përqendruar. Ndeshja mund të zgjasë shumë, gjithçka është e hapur dhe duhet të besojmë që mund ta arrijmë.”

Sa i përket gjendjes së skuadrës, Tudor konfirmoi se Destiny Udogie dhe Lucas Bergvall janë gati për të luajtur pas lëndimeve, edhe pse jo për 90 minuta të plota. Ndërsa Cristian ‘Cuti’ Romero është rikuperuar plotësisht nga goditja në kokë që pësoi në ndeshjen e parë dhe do të jetë në dispozicion të Tudor.

Megjithatë, Joao Palhinha, që u përplas me Romeron gjatë aksionit, do të mungojë pasi u dëmtua më shumë dhe stërvitet veçmas këtë të martë. Një tjetër pikë e paqartë është gjendja e Conor Gallagher, i cili është i sëmurë dhe Tudor ende nuk e di nëse do të jetë në stol.