UEFA hap hetim ndaj Fenerbahçes për disa transferime, përfshi nënshkimin me Mourinho-n dhe Skriniar
UEFA ka nisur një hetim ndaj Fenerbahçe pas një raporti negativ mbi financat e klubit turk, duke vënë në qendër disa nga lëvizjet më të fundit në merkato.
Një komision i përbërë nga inspektorë të Fair Play-t Financiar dhe ekspertë të Deloitte analizoi bilancet e klubit më 22 dhe 23 janar. Pas këtij auditimi të detajuar, UEFA hartoi një raport të pafavorshëm dhe kërkoi dokumente shtesë, shpjegime dhe deklarata me shkrim për disa transferime të diskutueshme.
Në fokus të hetimit janë emra të rëndësishëm si trajneri José Mourinho, si dhe lojtarët Milan Škriniar, Kerem Aktürkoğlu dhe Diego Carlos.
Një nga çështjet më delikate lidhet me kontratën e Aktürkoğlu, e cila sipas raportimeve është regjistruar me një pagë minimale, duke ngritur dyshime për parregullsi. Ky rast ka shkaktuar debat të madh në Turqi prej muajsh.
Sipas rregulloreve, edhe një gjobë e thjeshtë nga UEFA mund të konsiderohet si “parregullsi procedurale”, gjë që mund të sjellë pasoja më të rënda në bazë të rregullave të federatës turke, përtej një ndëshkimi financiar.
Burime pranë federatës dhe klubit bëjnë me dije se Fenerbahçe ka qenë nën presion të madh ditët e fundit për shkak të këtij rasti. Ish-drejtuesi, Hakan Safi, ka deklaruar se ai vetë ka paguar pagën e Aktürkoğlu pas transferimit nga Benfica verën e kaluar, duke i cilësuar akuzat si sulme ndaj klubit.
Hetimi mbetet i hapur dhe një vendim përfundimtar nga UEFA pritet në javët në vijim, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe plot pasiguri për klubin turk.