Parashikimi i superkompjuterit të Opta-s, ja sa për qind mundësi ka City për ta përmbysur Realin
Real Madridi ka hedhur një hap gjigant drejt çerekfinaleve të UEFA Champions League, dhe këtë e konfirmojnë edhe statistikat më të fundit të superkompjuterit të Opta.
Pas fitores së thellë 3-0 në ndeshjen e parë ndaj Manchester City-t, skuadra madrilene ka përmbysur plotësisht parashikimet. Protagonisti i madh ishte Federico Valverde, i cili realizoi një “hat-trick” të papritur, duke i dhënë “Los Blancos” një avantazh të artë përpara ndeshjes së kthimit.
Sipas të dhënave të Opta-s, Reali ka tashmë 83.80% mundësi për t’u kualifikuar në çerekfinale, ndërsa shanset e skuadrës angleze janë vetëm 16.20%. Një diferencë e madhe që reflekton dominimin e ndeshjes së parë, por që ende duhet konfirmuar në sfidën e kthimit në “Etihad Stadium”.
Megjithatë, përballë do të jetë skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola, e cila ka armë të forta si Erling Haaland dhe synon të përmbysë gjithçka, duke prishur festën e Vinícius Júnior me shokë.
Në rast kualifikimi, sipas të njëjtave parashikime, Reali pritet të përballet me Bayernin e Mynihut, që e ka të sigurt kalimin (99.86%) pas fitores 6-1 ndaj Atalantës. Ndërkohë, në çiftet e tjera, Arsenali kryeson ndaj Bayer Leverkusenit me 79.89%, ndërsa Paris Saint-Germain është favorit ndaj Chelsea me 93.81%.
Edhe pse statistikat janë qartësisht në favor të Realit, historia e Champions-it ka treguar se asgjë nuk është e sigurt deri në vërshëllimën përfundimtare.