Ngushtica e Hormuzit, çfarë kanë thënë vendet e tjera për kërkesën e Donald Trump për ndihmë

Disa vende kanë reaguar me rezervë ose kanë mbajtur qëndrim të kujdesshëm ndaj kërkesës së presidentit amerikan Donald Trump që shtetet të dërgojnë anije luftarake në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, e cila është afër bllokimit nga Irani gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme.

Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë bombardimet përgjatë vijës bregdetare dhe ndaj anijeve iraniane për ta bërë ngushticën “së shpejti të hapur, të sigurt dhe të lirë”, ndërsa njëkohësisht u ka bërë thirrje vendeve të tjera të kontribuojnë me mjete detare ushtarake.

Në një postim më 14 mars, ai u bëri thirrje vendeve si Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut dhe Mbretëria e Bashkuar që të dërgojnë anije në rajon, me qëllim eliminimin e kërcënimit ndaj kësaj rruge strategjike. Më pas, ai paralajmëroi se dështimi për të siguruar ngushticën do të ishte “shumë i keq për të ardhmen e NATO-s”.

Ngushtica është praktikisht e bllokuar nga Irani që prej 28 shkurtit, pas sulmeve të kryera nga Izraeli dhe SHBA ndaj Iranit, me përjashtim të disa anijeve që transportojnë naftë iraniane drejt vendeve si India dhe Kina.

Gjatë më shumë se dy javëve të konfliktit, disa anije tregtare janë goditur nga “predha të panjohura”, ndërsa raportohet për të paktën një viktimë. Rreth 20% e naftës globale kalon përmes kësaj rruge, çka ka ndikuar në rritjen e çmimeve ndërkombëtare dhe ka shtyrë disa vende aziatike të marrin masa për kursimin e karburantit.

Trump ka sugjeruar gjithashtu se marina amerikane mund të shoqërojë anijet tregtare në këtë zonë, megjithëse një pretendim i tillë i publikuar në rrjetet sociale nga sekretari i energjisë rezultoi i pasaktë.

Mbretëria e Bashkuar
Kryeministri Keir Starmer deklaroi se diskutimet me SHBA-në dhe partnerët evropianë e të Gjirit janë në vijim për një plan të zbatueshëm, por ende nuk ka vendime konkrete. Ndërkohë, ministri i Energjisë Ed Miliband theksoi se po shqyrtohen të gjitha opsionet në bashkëpunim me aleatët, duke nënvizuar se zgjidhja më e sigurt mbetet përfundimi i konfliktit.

Gjermania
Një zëdhënës i qeverisë deklaroi se lufta me Iranin “nuk ka lidhje me NATO-n”, ndërsa ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius vuri në pikëpyetje efektivitetin e përfshirjes evropiane, duke theksuar se “kjo nuk është lufta jonë”.

Franca
Presidenti Emmanuel Macron ka propozuar krijimin e një koalicioni për shoqërimin e anijeve dhe garantimin e lirisë së lundrimit, por vetëm pasi të ketë kaluar faza më intensive e konfliktit. Ministrja e Mbrojtjes Catherine Vautrin deklaroi se nuk ka plane të menjëhershme për dërgimin e anijeve në zonë. Ndërkohë, grupi aeronaval francez mbetet i dislokuar në Mesdheun Lindor me mision mbrojtës.

Kina
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Lin Jian bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake dhe shmangien e përshkallëzimit, duke theksuar nevojën për stabilitet ekonomik global. Ai shtoi se Kina është në komunikim me palët për të ulur tensionet.

Koreja e Jugut
Autoritetet koreano-jugore kanë deklaruar se po ndjekin nga afër zhvillimet dhe se çdo vendim do të merret pas një vlerësimi të kujdesshëm. Ministri i Mbrojtjes Ahn Gyu-back theksoi se çdo vendim për dërgimin e një anijeje luftarake kërkon miratimin e parlamentit.

Japonia
Kryeministrja Sanae Takaichi deklaroi se Japonia nuk ka marrë një kërkesë zyrtare për dërgimin e anijeve, por po shqyrton masat e nevojshme për mbrojtjen e anijeve dhe ekuipazheve japoneze, brenda kuadrit ligjor të vendit.

Bashkimi Evropian
Përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme Kaja Kallas deklaroi se aktualisht nuk ka gatishmëri për të ndryshuar mandatin e misionit detar të BE-së në rajon. Ajo theksoi se vendet anëtare nuk janë të prirura të rrezikojnë personelin në Ngushticën e Hormuzit dhe se duhet të gjenden zgjidhje diplomatike për ta mbajtur atë të hapur.