Juventusi dhe Milani hidhen në sulm për Lewandowskin

E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona është në diskutim, me më shumë shanse largimi se qëndrimi.

Sulmuesi polak pritet të lërë katalanasit, po t’i referohemi deklaratës së fundit të presidentit Joan Laporta, i cili ka lënë të nënkuptohet se do të blihet Harry Kane.

“Ka të njëjtën moshë me Lewandowskin në kohën që ne e blemë”, – ka thënë Laporta, kur është pyetur për zëvendësuesin e mundshëm të polakut.

Pavarësisht vullnetit për ta mbajtur Lewandowskin, “nëse ai do, mund të qëndrojë” pasi ai ka pranuar rotacionin me Ferran Torres, numri 1 i Barcelonës nuk i ka përjashtuar ndërhyrjet drastike në merkato, nëse Lewandowski vendos të ndryshojë skuadër.

Laporta dëshiron të investojë te një profil kalibri, siç është anglezi i Bayernit, Kane, duke e konsideruar atë si pasardhësin ideal të polakut për nga mosha dhe karakteristikat.

Ky qëndrim i presidentit të kalatanasve ndez shpresat e Juventusit dhe Milanit për afrimin e Lewandowskit.

Dy klubet italiane e kanë vënë në shënjestër prej kohësh dhe tashmë do të shtojnë sulmin për të nënshkruar me të.