Lufta në Lindjen e Mesme/ Bilalli: Do të kthehet në një 'bumerang' që do të godasë Evropën
Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Lutfi Bilalli, në një intervistë për SYRI TV me moderatorin Arnold Kariqi, ka analizuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tyre në arenën globale.
Ai thekson se operacionet ushtarake nuk kanë rezultuar sipas pritshmërive fillestare, duke nxjerrë në pah vështirësitë e mëdha operacionale dhe rreziqet që vazhdojnë të shoqërojnë konfliktin. Sipas Bilallit, një luftë e tillë nuk mund të fitohet vetëm përmes goditjeve ajrore, ndërsa ndërhyrja tokësore mbetet pothuajse e pamundur për shkak të përmasave dhe kompleksitetit të Iranit. Në këtë kontekst, ai paralajmëron për pasoja të rënda rajonale dhe globale, duke përfshirë krizë ekonomike dhe ndryshime të mundshme të balancave gjeopolitike për dekadat e ardhshme.
Lutfi Bilalli: Ka probleme të natyrës operacionale të cilat nuk kanë shkuar ashtu siç kanë menduar para goditjes së Iranit dhe kjo mendoj që do ketë problematika edhe në ditët në vijim që kemi. Tash kemi hyrë në javën e tretë. Është menduar dy, tre deri në katër ditë të kryhet operacioni, por ja që po shihet që me të vërtetë ky operacion ka pasur rreziqet e veta dhe do i ketë rreziqet e veta ende brenda tërë asaj që nënkupton, sepse nuk mund të fitohet një luftë vetëm nga goditja ajrore. Operacioni tokësor është i rrezikshëm dhe i pamundshëm. Bile bile, mendoj që më tepër është propagandë sesa realitet. Irani është sa gjysma e Evropës, 1.6 milionë kilometër katrorë, dhe është problematikë të depërtohet apo të pushtohet me infanteri.
Dhe kjo mendoj që ndoshta është një momentum ku Lindja e Mesme për 100 vjetshin e ardhshëm do ta marrë një pamje të re pas kësaj lufte. Dhe definitivisht po shihet që gjeopolitika tentohet të ndryshohet me forcë, por mund të kthehet në bumerang. Vendet e Gjirit janë goditur, ka qenë edhe e paralajmëruar edhe para invazionit, apo para fillimit të sulmit. Dhe mendoj që vendet e Gjirit gjenden në një pozicion jashtëzakonisht të rëndë. Arsyet janë sepse bazat amerikane kanë qenë caqe të goditjes, por më duket se tani kanë marrë edhe drejtimin e ri të goditjeve që i përkasin infrastrukturës, qoftë të resorteve, hoteleve apo edhe të bankave dhe sidomos atyre të burimeve të energjisë, sidomos në Arabinë Saudite dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kjo është një situatë e cila do të shkaktojë recesion dhe krizë në nivel botëror dhe sidomos vendet më të goditura do të jenë Evropa, por edhe pa harruar dhe pole të tjera, edhe kontinente të tjera, sepse diku 20%, 21-22% e qarkullimit të naftës vjen nga ngushtica e Hormuzit dhe është pika strategjike. Irani ka kalkuluar në këtë pikë dhe është një faktor i rëndësishëm, mund të them, për ta mbajtur luftën dhe për të goditur aty ku ndoshta kundërshtarët i dhemb më së shumti. Por problemi qëndron që në Lindjen e Mesme ka pasur mundësi dhe ende ka mundësi që të futet në luftë Arabia Saudite kundër Iranit apo edhe Turqia. Por më duket që këto dy vende janë të kujdesshme, edhe pse Arabia Saudite në një farë mënyre ka shënime që Mohammed bin Salmanin në anën tjetër i çon selame Trumpit.