Natë tmerri për futbollistin e Romës, një bandë e armatosur i futen në vilë për ta grabitur
Neil Aynaoui, futbollisti i Romës, dhe familja e tij përjetuan një natë terrori në banesën e tyre në zonën e Castel Fusano.
Një bandë prej gjashtë personash, të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara, hynë në vilë përmes dritares së sallonit duke shkulur një kangjellë.
Ata mbyllën në një dhomë Aynaouin, nënën e tij, partneren dhe vëllain me partneren e tij, duke i lënë të pafuqishëm përballë situatës.
Pas kësaj, grabitësit vodhën bizhuteri me vlerë rreth 10 mijë euro, një orë të markës Rolex dhe çanta të shtrenjta të markave të njohura.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur këtë ngjarje të tronditshme dhe për të identifikuar autorët.
Kjo ngjarje ka tronditur komunitetin lokal dhe ka sjellë shqetësim të madh për sigurinë e futbollistëve dhe familjeve të tyre në Itali.