Si i transformuan shkencëtarët shishet plastike në një ilaç për Parkinsonin
Shkencëtarët kanë zbuluar një mënyrë për të kthyer shishet plastike në ilaçe për të trajtuar sëmundjen e Parkinsonit, duke përdorur baktere. Kjo është hera e parë që një proces biologjik i natyrshëm shfrytëzohet për të transformuar mbeturinat plastike, që normalisht do të përfundonin në plehra, në një ilaç që përmirëson jetën e pacientëve.
Ekipi në Universitetin e Edinburgut modifikoi baktere e. coli për të kthyer një plastikë të zakonshme, polietilen tereftalat (PET), në L-DOPA, medikament ky i përdorur për Parkinsonin. Në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 166,000 njerëz vuajnë nga Parkinsoni dhe shumica marrin L-DOPA për të trajtuar simptomat motorike si dridhjet, ngurtësimin dhe ngadalësimin e lëvizjeve.
Tradicionalisht, prodhimi i barnave përdor karburante fosile, kështu që shfrytëzimi i plastikës për ilaçe konsiderohet më i qëndrueshëm. Në studimin e publikuar në Nature Sustainability, shkencëtarët shkatërruan PET-in në blloqe kimike të acidit tereftalik, që më pas bakteret i konvertuan në L-DOPA përmes reaksioneve biologjike.
Rreth 50 milionë tonë PET prodhohen çdo vit, kështu që përdorimi i tyre për ilaçe jo vetëm që redukton mbetjet plastike, por ofron një mënyrë më të gjelbër për të prodhuar barnat. Kjo nuk është hera e parë që plastika shfrytëzohet kështu; e. coli është përdorur gjithashtu për të prodhuar paracetamol.
Shkencëtarët besojnë se ky proces mund të zgjerohet për të prodhuar edhe aromat, kozmetikën, kimikatet industriale dhe produkte të tjera. Profesori Stephen Wallace, udhëheqës i studimit, tha: “Nëse mund të krijojmë ilaçe për sëmundjet neurologjike nga një shishe plastike, mund të imagjinojmë potencialin e pakufizuar të kësaj teknologjie. Mbetjet plastike nuk janë vetëm problem mjedisor, por edhe një burim i madh i karbonit që mund të shndërrohet në ilaçe jetike për njerëzit.” /The Independent – Syri.net