Taulant Seferi në super formë, shkëlqen në Turqi dhe ‘troket’ te Kombëtarja

Sulmuesi shqiptar Taulant Seferi po kalon një moment fantastik në Turqi, duke tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij të fundit dhe duke u afruar gjithnjë e më shumë me një rikthim në Kombëtare.

Futbollisti i Bodrumspor është përfshirë në formacionin më të mirë të javës në Ligën e Parë turke, sipas vlerësimeve të SofaScore, ku është vlerësuar me notën 8.2 për performancën e tij mbresëlënëse.

Në ndeshjen ndaj Boluspor, Seferi la menjëherë gjurmë duke asistuar që në minutën e tretë.

29-vjeçari dhuroi një pasim perfekt për shokun e skuadrës, duke treguar qartësinë dhe cilësinë e tij në fazën sulmuese.

Ky ishte asisti i tetë sezonal për sulmuesin kuqezi, i cili po ashtu ka realizuar edhe 15 gola, statistika që konfirmojnë formën e tij të shkëlqyer dhe rëndësinë në ekip.

Me këtë ritëm, Seferi po dërgon një mesazh të qartë për stafin e Kombëtares shqiptare, duke treguar se është gati të japë kontributin e tij me fanellën kuqezi.