Gjestet e duarve nuk janë gjithmonë universale, por të gjithë i përdorim për të komunikuar
Shumë prej nesh flasim duke përdorur duart, duke bërë gjeste për të theksuar atë që themi. Ndonjëherë i përdorim gjestet edhe pa folur për të komunikuar. Studime të mëparshme tregojnë se gjestet e duarve mund të kenë qenë një mënyrë komunikimi edhe para se njerëzit të zhvillonin gjuhën.
Megjithëse gjeste si "gishti i madh lart" apo shenja e paqes mund të kenë kuptime të ndryshme në kultura të ndryshme, lind pyetja: a ekzistojnë gjeste universale?
Të folurit me duar është universal
Ne përdorim duart gjatë bisedës sepse ato na ndihmojnë të mendojmë; ekziston një lidhje mes mendimit dhe lëvizjes së duarve. Ky është një zakon i mësuar, por edhe i ndikuar nga kultura, shpjegon psikologia e sjelljes Susan Weinschenk.
Edhe brenda të njëjtës kulturë ka ndryshime të mëdha: disa njerëz përdorin shumë gjeste, të tjerë shumë pak. Gjithashtu ndryshon edhe madhësia e gjesteve, por të gjitha kulturat i përdorin ato.
Për shembull, në vende si Italia dhe Turqia përdoren gjeste më të mëdha dhe më të dukshme. Kur gjestet janë të vogla, vihen më pak re; kur janë të mëdha, duket sikur njerëzit gjestikulojnë më shpesh.
Studime tregojnë se, tek të rriturit dhe fëmijët që flasin gjuhë të ndryshme, tek personat e verbër dhe ata që shohin, si edhe tek njerëzit dygjuhësh apo njëgjuhësh, gjestet që shoqërojnë të folurin ndjekin të njëjtat modele si vetë gjuha. Por kur njerëzit ndalojnë së foluri dhe komunikojnë vetëm me gjeste, dallimet mes gjuhëve zhduken dhe të gjithë duken njësoj.
Sipas studiueses Şeyda Özçalışkan:"Gjestet që shoqërojnë të folurin varen nga gjuha, sepse edhe fjalimi është specifik për një gjuhë. Por kur nuk flasim, gjestet bëhen një gjuhë më vete dhe krijojnë ngjashmëri mes të gjitha kulturave."
Disa gjeste konsiderohen pothuajse universale. Për shembull, ngritja e shpejtë e duarve me pëllëmbët përpara zakonisht do të thotë "ndalo". Edhe gjesti për të thirrur dikë të afrohet është i kuptueshëm pothuajse kudo. Po ashtu, tregimi me gisht është një sinjal i përhapur globalisht, megjithëse niveli i mirësjelljes ndryshon nga kultura në kulturë.
Fëmijët fillojnë të tregojnë me gisht rreth moshës 11 muajshe, dhe kjo është një hap i rëndësishëm në mësimin e gjuhës. Një fëmijë tregon diçka që dëshiron dhe prindi i thotë fjalën përkatëse, duke e ndihmuar të lidhë objektin me gjuhën.
Gjestet që nuk janë universale
Gjestet që nuk janë universale zakonisht lidhen ngushtë me kulturën. Për shembull, gishti i madh lart mund të nënkuptojë "në rregull" në një vend, por të jetë fyes në një tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për shenjën e paqes.
Madje edhe tundja e kokës për "po" dhe "jo" nuk ka të njëjtin kuptim kudo. Shenja e paqes në SHBA mund të konsiderohet fyese në disa kultura të tjera.
Gjesti me gishtin e madh lart mund të jetë pozitiv në disa vende dhe ofendues në të tjera. Po ashtu, gjesti me gishtin e vogël dhe treguesin të ngritur (i njohur si "rock on") në disa kultura do të thotë entuziazëm për muzikën rok, ndërsa në të tjera nënkupton tradhti bashkëshortore.
Prandaj, ekziston shumë ndryshim kulturor dhe kur udhëtojmë jashtë vendit është mirë të jemi të kujdesshëm me gjestet që përdorim.
Megjithatë, pavarësisht kuptimit të tyre, të gjithë njerëzit përdorin gjeste. Siç thotë Weinschenk: "Ne komunikojmë me gjithë trupin tonë, dhe duart janë pjesë e këtij komunikimi." /Discover Magazine – Syri.net