Verstappen shpërthen ndaj rregullave të reja: Kjo nuk është Formula 1

Max Verstappen ka ndezur polemika të forta me deklaratat e tij të fundit, duke kritikuar ashpër tifozët dhe ndryshimet e reja në Formula 1 për sezonin 2026.

Katër herë kampioni i botës nuk është aspak i kënaqur me drejtimin që po merr sporti, sidomos pas ndryshimeve të mëdha në rregullore që prekin si shasinë ashtu edhe “power unit”-in. Sipas tij, theksi i shtuar te energjia elektrike dhe përdorimi i baterive po e largon Formulën 1 nga thelbi i saj tradicional.

Piloti i Red Bull Racing e cilësoi këtë evoluim si “anti-garë”, duke e krahasuar madje me një version të ekzagjeruar të Formula E.

Ai nuk kurseu as tifozët që e mbështesin këtë ndryshim, duke deklaruar se ata “nuk kuptojnë asgjë nga garat”.

“Është e tmerrshme, nëse dikujt i pëlqen kjo që po ndodh. Nuk është aspak argëtuese. Është si të luash Mario Kart. Kjo nuk është garë”, u shpreh Verstappen, duke treguar hapur frustrimin e tij.

Këto deklarata pritet të hapin debat të madh në botën e motorsportit, ku ndarja mes traditës dhe inovacionit po bëhet gjithnjë e më e theksuar.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse rregullat e reja do të sjellin realisht më shumë spektakël apo do të largojnë një pjesë të tifozëve tradicionalë të këtij sporti.