Polonia me probleme, dy mungesa të rëndësishme për sfidën me Shqipërinë

Polonia do të përballet me mungesa të rëndësishme në prag të sfidës kundër Shqipërisë më 26 mars në Varshavë, duke i dhënë një lajm pozitiv kuqezinjve para këtij dueli të rëndësishëm.

Pas problemeve që ka Shqipëria, edhe polakët nuk janë të plotë. Sulmuesi Adam Buksa ka pësuar një dëmtim në muskulin e pulpës dhe do të mungojë në këtë përballje.

Lojtari, i cili aktivizohet me Udinesen, pritet të rikthehet vetëm pas përfundimit të ndeshjeve të kombëtareve.

Edhe pse nuk është titullar i padiskutueshëm, Buksa ka një kontribut të rëndësishëm me 25 paraqitje për përfaqësuesen.

Një tjetër goditje për Poloninë është mungesa e portierit Łukasz Skorupski.

“Gardiani” i Bolognës u dëmtua në ndeshjen ndaj Sassuolos dhe, sipas raportimeve nga mediat polake, nuk do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Shqipërisë.

Në vend të tij pritet të aktivizohet Kamil Grabara, portieri i Wolfsburg, i cili do të marrë përgjegjësinë në një ndeshje delikate.

Këto mungesa mund të ndikojnë në balancën e Polonisë, ndërsa Shqipëria do të synojë të përfitojë maksimalisht për t’u kualifikuar në “Play-off”-in e Botërorit.