Manchester City për mrekullinë, Reali për historinë/ Spektakël i garantuar sonte në ‘Etihad’
Manchester City do të tentojë sonte një përmbysje pothuajse të pamundur ndaj Real Madridit, pasi humbja 3-0 në ndeshjen e parë e ka vënë skuadrën angleze përballë një sfide të madhe në këtë përballje të Champions League.
Forma e fundit e Cityt nuk jep shumë optimizëm, pasi barazimi 1-1 ndaj West Ham në kampionat tregoi vështirësi në ruajtjen e ritmit.
Edhe trajneri Pep Guardiola e ka pranuar se shanset janë të pakta, ndërsa historia nuk është në anën e tij kur bëhet fjalë për përmbysje në Europë.
Nga ana tjetër, madrilenët vijnë me moral të lartë pas fitores bindëse në kampionat dhe kanë statistikë perfekte në raste të tilla, duke kaluar çdo tur kur kanë fituar ndeshjen e parë me tre ose më shumë gola diferencë.
Megjithatë, luhatjet në transfertë dhe humbjet e fundit në Angli tregojnë se nuk janë të pathyeshëm.
Historia direkte favorizon Realin, që ka fituar tri nga katër përballjet e fundit dhe kërkon të eliminojë Cityn për të tretin sezon radhazi.
Në “Etihad”, anglezët do të duhet të sulmojnë pa pushim, duke rrezikuar shumë në prapavijë.
Në planin individual, sytë do të jenë te Bernardo Silva dhe talenti i ri Arda Guler, ndërsa mungesat mund të ndikojnë në balancën e skuadrave.
Me Cityn të detyruar të kërkojë gola dhe Realin “vdekjeprurës” në kundërsulm, pritet një ndeshje e hapur dhe me spektakël të garantuar.