Shqipëria 'kavie eksperimenti'/ Panariti: Projekti i Porto Romanos po çon drejt një vakumi ekonomik

Ish-ministri , Edmond Panariti, ka ngritur shqetësime të forta për projektin e portit të ri në Porto Romano, duke e cilësuar atë si një “eksperiment të paprovuar” me rreziqe të mëdha për ekonominë dhe sigurinë e vendit.

Në një analizë të thelluar, i ftuar në 'KAFE SHQETO' në SYRI TV i Panariti e cilëson të gjithë projektin si një "eksperiment të madh dhe të paprovuar", i cili po shkakton shqetësim edhe te partnerët strategjikë si NATO.

Panariti theksoi se zhvillimi i projektit është bërë me nxitim dhe pa një strategji të qartë, ndërsa paralelizmi me transformimin e portit të Durrësit në port turistik mund të krijojë një “vakum ekonomik” dhe rënie të investimeve.

Ai kritikoi mungesën e transparencës dhe paqartësinë mbi mënyrën e financimit të projektit, duke vënë në dukje se nuk dihet ende pesha që do të ketë shteti shqiptar në këtë investim që përllogaritet në miliarda euro. Sipas tij, kjo situatë rrezikon të sjellë stanjacion ekonomik dhe pasiguri për të ardhmen e infrastrukturës portuale në vend.

Panariti:

E di çfarë më vjen në mend tani, për një përgjigje sa më të drejtpërdrejtë të pyetjes që ju bëtë, që Shqipëria ka zgjedhur të kthehet në një kavi eksperimenti, se unë e konsideroj këtë një eksperiment të madh, të paprovuar. Dhe nuk është hera e parë që ne vetëofrohemi për eksperimente të tilla, të cilat në fakt i kemi përjetuar edhe më përpara, eksperimente në , në fushën e drejtësisë, eksperimente në reformimin institucional, eksperimente demografike, shohim ç'po ndodh me një popull që i largohen 1.2 milionë njerëz, dhe tashmë, eksperimente të karakterit infrastrukturor, por që natyrisht cënojnë dhe arkitekturën e sigurisë së vendit, për sa kohë që NATO, partnerët tanë strategjikë, ndërhyjnë dhe kërkojnë shpjegime për mënyrën se si do të zhvillohet ky projekt.

Pra, Romano është pikërisht një eksperiment i madh dhe këtu bëhet fjalë dhe për një ndryshim të jashtëzakonshëm, një lëvizje e fortë tektonike do të thoja, pasi bëhet fjalë për ndryshim radikal të destinacionit të portit të Durrësit, që tashmë është synohet që të kthehet në një port turistik, port jahtesh dhe unë do të thoja që ky ka qenë dhe katalizatori i projektit të Porto Romanos, sepse nuk është se Porto Romano lindi si rezultat i studimeve të thelluara, të zgjatura në kohë, që do të zbulonin pastaj dhe kapacitetet reale të kësaj zone për investime të tilla infrastrukturore si zgjerimi i kapaciteteve portuale, apo për për ta projektuar si një nyje të re të vektorëve të transportit dhe natyrisht edhe në funksion të arkitekturës së sigurisë së rajonit. Pra, unë kam bindjen që ishte porti i Alabbarit që e katalizoi dhe këtë zhvillim. E padyshim pastaj nuk munguan edhe tashmë shoqëruesit, studimet e fizibilitetit që u futën me nxitim për të justifikuar këtë investim madhor.

Dhe unë nuk dëshiroj të dyshoj që padyshim mund të ketë edhe aspekte racionale në kuptimin e zgjedhjes së kësaj zone për zgjerimin e kapaciteteve portuale të nyjeve të reja energjitike të vendit, por mënyra se si u bë me nxitim, jo kështu me një si rezultat i një i një vijueshmërie normale të një projekti dhe të një investimi që do të në radhë të parë do të duheshe që të kishte si prioritet absolut ndërtimin e kapaciteteve të reja në portin e Romanos dhe pastaj si në një fazë të dytë portin e jahteve. Kjo nuk ndodhi dhe po, me sa e kam kuptuar të dyja këto do të ecin paralelisht duke krijuar rrezikun e një vakumi shumë të madh ekonomik, sepse ndërkohë që dikush do, porti i parë i vendit, porti i Durrësit do të duhet të çmontohet nga pikëpamja e infrastrukturës për t'i lënë fond investimeve të Alabarit, do të duhet paralelisht që ne të ecim me zhvillimet infrastrukturore dhe investimet në portin e ri të Porto Romanos. Pra, ç'do të ndodhë në këtë periudhë?

Se vetëm sipas planeve të qeverisë do të duhen të paktën tre vjet, por unë jam i bindur që do të kërkojë shumë më tepër kohë ndërtimi i portit të ri dhe ndërkohë ne do të ndodhemi në një mungesë investimesh në portin aktual, se askush nga investitorët që kishin parashikuar zgjerimin e terminaleve, zgjerimin e kapaciteteve nuk do të guxojë më të investojë në një port i cili nuk ka perspektivë dhe që së shpejti synohet të transferohet, të transformohet në një port jahtesh. Pra kjo do të krijojë një rrudhje të aktivitetit ekonomik dhe kjo periudhë ku të dyja projektet synohen të ecin paralelisht, pra rrezikon të krijojë një stazë, një stanjacion ekonomik. Dhe ajo që mua më më habit dhe që nuk e kam dëgjuar deri tashti është dhe ëh, dhe modaliteti i financimit të portit të Porto Romanos. Bëhet fjalë për një tender i cili dështoi. U shit sikur u anulua, por ai është një dështim i mirëfilltë i tenderit. Ndërkohë, nuk kemi asnjë kuadër rregullator, asnjë kuadër ligjor për të përcaktuar se si do të do të financohet ky port. Pra, është shpallur që skema do të jetë partneritet publik-privat, por ne nuk dimë absolutisht asgjë, asnjë detaj për këtë arkitekturë financimi dhe kjo është eksperiment?

Pra, edhe këtu do të synohet të improvizohet dhe të eksperimentohet. Në radhë të parë nuk dihet kush do të jetë pesha e shtetit shqiptar në këtë aksion. Duhet të jetë, mbi 51% siç ka ndodhur për shembull edhe në portin e Pireut. Portin e Pireut, padyshim pati një partneritet publik-privat, por firma kineze operacionale, kryesisht fitoi pjesën operacionale, kurse pjesët infrastrukturore, pjesët e investimeve të kapaciteteve logjistike i mbajti shteti.

Dhe në këtë mënyrë pastaj, shteti kuron dhe mbron interesat e tij ekonomike duke pasur paketën kryesore të aksioneve. Këtu te ne nuk dihet asgjë. Pra praktikisht do hapet një tender, shteti nuk e di se ku do t'i gjejë ato para se bëhet fjalë për gati 3 miliardë euro. Pra, do të dalin nga buxheti, apo janë kontaktuar donatorë të mundshëm, si mund të jetë FMN-ja, Banka Botërore, të cilët normalisht nuk mund të hyjnë me kredi pa sqaruar si të thuash dhe rëndësinë, peshën, pozicionin e portit të ri.