Sulm i dytë brenda katër ditësh, dronët godasin sërish fushën e naftës Majnoon në Irak
Një tjetër sulm me dron ka shënjestruar fushën e naftës Majnoon në jug të Irakut, në provincën e Basra, duke shënuar incidentin e dytë të tillë brenda katër ditësh. Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e infrastrukturës energjetike në vend.
Saheb Bazoun, zëdhënës i Ministria e Naftës e Irakut, i tha Agence France-Presse se fusha e naftës-e cila aktualisht është e mbyllur- ‘u shënjestrua nga dy dronë, njëri prej të cilëve u përplas në një kullë telekomunikacioni’.
Sipas tij, sulmi nuk shkaktoi dëme materiale apo viktima.
Një zyrtar tjetër i sigurisë, duke folur për AFP në kushte anonimiteti, tha se droni i dytë kishte në shënjestër zyrat e përdorura nga një kompani amerikane që operon në këtë vend.
Fusha e naftës Majnoon Oil Field ishte shënjestruar gjithashtu edhe të premten në një sulm të ngjashëm me dron, duke e bërë këtë incidentin e dytë në vetëm pak ditë.
Iraku, një nga prodhuesit kryesorë të naftës në rajon, përballet herë pas here me incidente të sigurisë që synojnë infrastrukturën energjetike, veçanërisht në zonat e pasura me burime nafte në jug të vendit.