Ndërpritet energjia elektrike në Kubë! Mbi 10 milionë banorë në errësirë totale, nisin hetimet

Zyrtarët në Kubë kanë njoftuar se ka pasur një ndërprerje të përgjithshme të energjisë elektrike në të gjithë vendin, i cili ka rreth 11 milionë banorë. Ministria e Energjisë dhe Minierave tha se kishte pasur një shkëputje të plotë të rrjetit elektrik të vendit dhe lajmëroi se po kryente një hetim.

Incidenti, i cili nuk është i pari, por duket të jetë një nga më të këqijtë, vjen ndërsa krizat energjetike dhe ekonomike përkeqësohen. Mediat shkruajnë se presidenti kuban, Miguel Diaz-Canel paralajmëroi të premten se ishulli nuk kishte marrë naftë për më shumë se tre muaj dhe se po funksiononte me energji diellore, gaz natyror dhe termocentrale.

Një ndërprerje masive e energjisë elektrike një javë më parë goditi anën perëndimore të ishullit, duke lënë miliona njerëz pa energji elektrike. Kuba i ka atribuar problemet e saj bllokadës energjetike të SHBA-së. Presidenti Donald Trump madje kishte paralajmëruar në janar për vendosjen e tarifave për çdo vend që do të shiste ose furnizonte naftë në ishull.