Xhamia 'Ebu Beker' në Pogradec shpërndan bukë falas për familjet në nevojë gjatë Ramazanit
Një nismë humanitare ka nisur në Pogradec nga Xhamia “Ebu Beker”, ku gjatë gjithë muajit të Ramazanit po shpërndahet bukë falas për rreth 100 familje në vështirësi ekonomike. Pa dallim besimi, çdo person në pamundësi ekonomike mund të drejtohet pranë furres së bukës në rrugën e Spitalit për të marrë ndihmën.
Imami i xhamisë, Mirel Mazelli, e ka cilësuar këtë si një nismë modeste që synon të mbështesë ata që nuk kanë mundësi financiare. Ai gjithashtu ka bërë thirrje për besimtarët që në këto ditë të fundit të Ramazanit të japin Sadaka fitrin, pjesë e pasurisë që çdo besimtar me mundësi duhet të dhurojë përpara faljes së Fitër Bajramit, si detyrim fetar dhe akt solidariteti ndaj më të nevojshmëve.
Kjo iniciativë synon të lehtësojë barrën e familjeve në nevojë dhe të promovojë solidaritetin dhe ndihmën reciproke në komunitet gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.