Ballabani: Qytetarët po vuajnë nga varfëria, qeveria e shurdhër ndaj realitetit
Gjatë fjalës së saj në foltoren e opozitës, Anëtarja e Kryesisë në PL, Elda Ballabani u shpreh se jetesa e shqiptarëve po bëhet çdo ditë më e papërballueshme, për shkak të rritjes së çmimeve dhe shtrenjtimit të jetesës.
Ajo theksoi se kjo nuk është një krizë natyrore, por pasojë e qeverisjes që ka injoruar nevojat e qytetarëve dhe ka favorizuar një grusht njerëzish që pasurohen, ndërkohë që populli po vuan.
"Një pensionist sot zgjedh mes bukës dhe ilaçeve, dhe një çift i ri nuk mund të ndërtojë dot një jetë të ardhshme në Shqipëri", u shpreh ajo.
Ajo bëri thirrje për drejtësi dhe një ftesë për të luftuar padrejtësitë që kanë kapur çdo shtresë të shoqërisë shqiptare.
Pjesë nga deklarata:
Sot jemi këtu, dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë të jetosh me dinjitet. Në Shqipëri, çdo ditë që kalon është më e vështirë se dita e djeshme. Rriten çmimet e ushqimeve, rritet nafta, rritet energjia, rriten qiratë, rritet çdo gjë që prek jetën e përditshme të qytetarëve. Po rrogat, po pensionet, po jetesa e njerëzve të thjeshtë, ato nuk rriten. Ndërsa një familje shqiptare numëron lekët në fund të muajit për të mbushur frigoriferin, qeveria del në televizor dhe flet për suksese imagjinare. Ata flasin për statistika, ne jetojmë realitetin, dhe realiteti është ky.
Një pensionist sot zgjedh mes bukës dhe ilaçeve. Një prind mendon dy herë para se të blejë produkte ushqimore për fëmijët. Një çift i ri e sheh të pamundur të ndërtojë jetën në këtë vend. Sepse në Shqipëri sot, të jetosh ndershmërisht është bërë luks. Kjo nuk është një krizë natyrore. Kjo është pasojë e një qeverisje që nuk mendon për qytetarët. Sepse ndërsa qytetarët varfërohen çdo ditë, një grusht njerëzish pasurohen çdo ditë. Ndërsa qytetarët paguajnë më shumë për bukën, për naftën, për energjinë, për ilaçet, për çdo gjë, dikush tjetër mbush xhepat. Kjo është padrejtësi dhe padrejtësia nuk mund të zgjasë pafund.
Ne nuk jemi këtu për të kërkuar lëmoshë, ne nuk jemi këtu për të kërkuar favore. Ne jemi këtu për të kërkuar atë që na takon, një jetë të përballueshme në vendin tonë. Sepse Shqipëria nuk mund të jetë vendi ku çdo gjë bëhet më e shtrenjtë për qytetarët dhe çdo gjë bëhet më e lehtë për pushtetin. Nuk mund të jetë normale që në një vend të vogël si ky çmimet të jenë si në Evropë, por rrogat si në vendet më të varfra të botës. Nuk mund të jetë normale që një i ri të mos shohë asnjë të ardhme këtu.
Të dashur qytetarë, heshtja nuk është më zgjidhje, sepse kur çmimet rriten çdo muaj, çdo ditë, dhe jeta bëhet çdo ditë më e rëndë, ne kemi vetëm një rrugë: të ngrihemi dhe të flasim. Sot, nga kjo foltore, dua t'i jap një mesazh. Ky vend nuk është pronë e një qeverie. Ky vend është i qytetarëve, dhe kur qytetarët bashkohen, asnjë pushtet nuk është më i fortë se zëri i tyre.
Prandaj, sot themi me zë të lartë: mjaft me çmimet që rriten çdo ditë, mjaft me një jetë që bëhet gjithnjë e papërballueshme, mjaft me një qeveri që nuk ndjen dhimbjen e qytetarëve. Sepse Shqipëria meriton më shumë, shqiptarët meritojnë më shumë. Dhe ky zë që po ngrihet nuk do të ndalë derisa drejtësia të kthehet për qytetarët e këtij vendi. Shqipëria për shqiptarët dhe jo për hajdutët dhe tradhtarët.
Rroftë kombi shqiptar, fitore! Faleminderit!