Zhulali: Karton i kuq nga BE, aferat e korrupsionit i vënë ‘drynin’ rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit

Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, deklaroi se Shqipëria ka marrë një "karton të kuq" nga Bashkimin Europian, si pasojë e dështimit të qeverisë për të adresuar afera të mëdha korrupsioni.

E fuat në emisionin 'Task Force', me Sonila Meçon, Zhulali theksoi se mungesa e seriozitetit në luftën ndaj korrupsionit, veçanërisht në çështjet e "Ballukut" dhe "AKSHI", ka shkaktuar humbjen e mundësisë për Shqipërinë të bashkohet me vendet që po përshpejtojnë procesin e anëtarësimit në BE.

Zhulali theksoi gjithashtu se ky bllokim ka pasoja të drejtpërdrejta për Edi Ramën, i cili përballet me një presion të shtuar nga partnerët europianë dhe një retorikë gjithnjë e më të dyshimtë mbi reformat.

Sipas saj, kjo situatë po i krijon qeverisë një pozitë gjithnjë e më të vështirë, duke paralajmëruar se nëse nuk ndryshon kursin, Shqipëria mund të humbasë mundësinë për t'u anëtarësuar në BE për shkak të korrupsionit të pandëshkuar.

Pjesë nga deklarata:

Ka mënyra të ndryshme se si e shikojnë Shqipërinë. Ka nga më dashamirësit deri tek më skeptikët. Ajo që dimë për momentin është që ka pasur një dashamirësi ndaj Shqipërisë, që ajo të futet në lokomotivën e vendeve që anëtarësohen me shpejtësi në BE. Por kjo do të ndodhte me një kusht: që qeveria shqiptare ta kishte këtë proces seriozisht.

Në këtë proces ka pasur disa kushte konkrete. Një prej tyre ka qenë mënyra se si do të trajtohej çështja e Ballukut dhe çështjet e tjera të korrupsionit, si dhe çështja e AKSHI-t. Për këtë ka pasur një mbledhje shumë të rëndësishme javën e kaluar në formatin e grupeve që merren me procesin e zgjerimit, ku një nga temat kryesore ishte se si është trajtuar çështja Balluku nga parlamenti shqiptar.

Ka qenë temë dhe ne kemi qenë bashkë me Malin e Zi. Mali i Zi ka kaluar, Shqipëria ka mbetur vend numëro. Si rrjedhojë, e humbëm mundësinë të futeshim bashkë me vendet e tjera, që mund të jenë pjesë e paketës së zgjerimit. Mbeten ende kushte të tjera, por çështja Balluku ka qenë e drejtpërdrejtë aty dhe e përmendur nga një vend që është një nga motorrët kryesorë, siç është Gjermania. Nuk ka qenë e vetme, ka qenë edhe katër vende të tjera që e kanë marrë këtë proces seriozisht dhe nuk do të bëjnë asnjë kompromis. Ata nuk do ta tolerojnë më qeverinë shqiptare siç kanë bërë deri dje, duke thënë "hë, shqiptarët kështu jetojnë", sepse në fund të ditës, do të përfundojnë aty ku u detyrua ta thotë Mark Rutte: nëse e merr këtë vend dhe e fut në këto kushte, je futur një kal troje brenda.

Edi Rama ka përpjekje çdo ditë për të nxjerrë një lajm tjetër, që shqiptarët të mos e kuptojnë se në procesin e anëtarësimit në BE, ai ka marrë një karton të kuq. Çështja Balluku nuk mbyllet aty. Për sa kohë nuk vijon procesi i anëtarësimit, çështja Balluku mbetet e pazgjidhur dhe nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveçse heqjes së kësaj barrikade që ai po përpiqet ta mbajë.

Gjërat po ndryshojnë me shpejtësi. Ne jemi të vetëdijshëm për ndryshimet që po ndodhin në vëmendjen e vendeve të Europës dhe të botës, por ajo që është e rëndësishme për Shqipërinë është që të mbajë fokusin. Shqipëria duhet të mbetet me sytë drejt BE-së. Ajo nuk ka një alternativë tjetër përveç Bashkimit Europian. Mos harrojmë që BE-ja është jo thjesht një partner politik, por është partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë, që sjell ndihma të mëdha dhe mban ekonominë në lëvizje.

Nëse kjo marrëdhënie cënohet, do të ketë pasoja të rënda për Shqipërinë. Edi Rama ka dëmtuar marrëdhënien politike me partnerët europianë, dhe kjo është ndjerë. Nuk i ka më si më përpara, ku i kapte për qafe dhe i trajtonte si të tillë. Sot, ata janë përballë tij. E gjithë retorika e tij deri dje që ka bërë reforma të jashtëzakonshme në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar tashmë konsiderohet si përralla.

Një pasojë tjetër është që Edi Rama ka ndryshuar raportin me drejtësinë. Dje, ai i jepte urdhëra nga asambleja e Partisë Socialiste, por tani duket sikur i ka përballë dhe kjo ka pasoja të drejtpërdrejta. Nuk do të shohim nëse organet e drejtësisë do të shkojnë deri në fund me dosjet e hapura, por Edi Rama u ka shpallur luftë dhe përpiqet të ndryshojë legjislacionin.

Një sfidë tjetër brenda Partisë Socialiste është çarja që po ndodh atje. Edi Rama e mblodhi me urgjencë kryesinë dhe u tha: "Unë ju sakatoj." I ka kërcënuar drejtpërdrejtë me metoda të ndryshme. Në fund, do të bëhet edhe më i ashpër, do të çojë gjithçka në gabime më të rënda, që do ta shkurtojnë ditën përfundimtarisht. Do të bëhet edhe më i ashpër ndaj qytetarëve. Kjo mund të çojë në mobilizimin e revoltës më të madhe.