Zbulohet arsyeja e zemërimit të Leaos në Lazio-Milan, Allegri jep shpjegimin pas ndeshjes
Një moment tensioni gjatë ndeshjes mes Lazios dhe Milanit ka tërhequr vëmendjen e tifozëve, pasi Rafael Leao reagoi me nervozizëm kur u zëvendësua nga trajneri Massimiliano Allegri. Megjithatë, sipas raportimeve nga mediat italiane, zemërimi i portugezit nuk ishte i drejtuar ndaj trajnerit.
Analiza e gazetarit sportiv, Claudio Raimondi, zbulon se shkaku i pakënaqësisë së Leaos lidhej me disa episode gjatë ndeshjes me shokun e skuadrës Christian Pulisic.
Sipas këtij interpretimi, në minutën e 50-të Leao bëri një depërtim të mirë në zonë, por Pulisic nuk e shërbeu me pasim. Portugezi reagoi duke hapur krahët në shenjë pakënaqësie. Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në minutën e 64-t, kur Leao u pozicionua sërish mirë, por amerikani nuk e pa në momentin e duhur, çka e bëri sulmuesin edhe më të irrituar.
Kjo mungesë harmonie në bashkëpunimin mes dy lojtarëve duket se ndikoi edhe në reagimin e Leaos kur u zëvendësua. Teksa largohej nga fusha, ai iu drejtua trajnerit Allegri me kërkesën: “Mister, më lër edhe 20 minuta në fushë”.
Pas përfundimit të ndeshjes, Allegri konfirmoi indirekt se lojtari kishte arsye për pakënaqësinë e tij. “Ai mund të ishte shërbyer më mirë në disa raste dhe për këtë mbeti pak i zemëruar”, u shpreh tekniku i Milanit.
Ngjarja ka nxitur diskutime për marrëdhënien në fushë mes Leaos dhe Pulisic-it, pasi dy lojtarët janë pjesë e rëndësishme e repartit ofensiv të Milanit dhe pritet të jenë vendimtarë për ambiciet e skuadrës në vazhdim të sezonit.