Fàbregas sulmon Gasperinin: Ishte mungesë respekti
Trajneri i Como-s, Cesc Fàbregas, ka shpërthyer në kritika pas fitores 2-1 ndaj Romës në Serinë A, duke akuzuar homologun e tij për mungesë respekti në fund të ndeshjes.
Skuadra e Como-s arriti një sukses të rëndësishëm në shtëpi në një përballje të tensionuar, e cila u ndikua edhe nga përjashtimi i Wesley-t. Me këtë fitore, Como vazhdon të mbajë vendin e katërt në renditje dhe ruan shpresa reale për t’u kualifikuar në UEFA Champions League sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, pas përfundimit të ndeshjes, Fàbregas nuk e fshehu zhgënjimin e tij për sjelljen e trajnerit të Romës, Gian Piero Gasperini, i cili sipas tij u largua nga fusha pa e përshëndetur.
“Mu duk një veprim antisportiv. Edhe kur jam i zemëruar, kur përjashtohem apo kur mendoj se arbitri më ka dëmtuar, në fund të ndeshjes gjithmonë shkoj dhe i jap dorën kundërshtarit. Është çështje respekti dhe sportiviteti”, deklaroi Fàbregas për “DAZN”.
Tekniku spanjoll theksoi se u përpoq ta përshëndeste rivalin e tij, por pa që ai po largohej nga fusha. “Unë vij nga një vend tjetër dhe duhet të mësohem edhe me këto gjëra. Kur luajmë, është normale të luftojmë fort në fushë, por kur ndeshja mbaron, gjithçka përfundon aty dhe për mua është e natyrshme të shtrëngojmë duart”, shtoi ai.
Fàbregas pranoi gjithashtu se edhe vetë ka bërë ndonjëherë gjëra për të cilat nuk është krenar, por theksoi se trajnerët duhet të japin shembull të mirë. “Futbollistët e rinj dhe tifozët na shohin. Duhet të tregojmë gjithmonë respekt dhe të japim shembullin e duhur”, përfundoi ai.