Premier League ndëshkon rëndë Chelsea-n, gjobë rekord dhe kufizime në merkato

Chelsea është goditur me një nga ndëshkimet më të rënda në historinë e Premier League, pasi liga angleze konfirmoi këtë të hënë një sërë sanksionesh ndaj klubit londinez për shkelje të rregullave financiare.

Sipas vendimit zyrtar, klubi “blu” do të duhet të paguajë një gjobë rekord prej 12.5 milionë eurosh, pasi pranoi se kishte kryer pagesa të paligjshme ndaj agjentëve dhe palëve të treta gjatë disa transferimeve të realizuara në periudhën 2011–2018. Në total, bëhet fjalë për rreth 54.5 milionë euro pagesa që nuk ishin deklaruar sipas rregullave të autoriteteve të futbollit.

Përveç gjobës, Chelseat i është ndaluar të transferojë lojtarë për akademinë e tij për një periudhë prej nëntë muajsh. Ndërkohë, për ekipin e parë është vendosur edhe një ndalim njëvjeçar për transferime, por ky dënim do të mbetet i pezulluar dhe do të hyjë në fuqi vetëm nëse klubi përsërit shkelje të ngjashme.

Hetimet lidhen me periudhën kur pronar i klubit ishte miliarderi rus, Roman Abramovich, i cili drejtoi Chelsea-n nga viti 2003 deri në vitin 2022. Mes transferimeve që janë përmendur në këtë proces janë ato të futbollistëve si Eden Hazard, Samuel Eto'o, Willian, Ramires, David Luiz, Andre Schurrle dhe Nemanja Matic.

Vetë Chelsea pranoi shkeljet dhe bashkëpunoi me hetimin, gjë që sipas Premier League është marrë parasysh në vendimin përfundimtar. Klubi londinez deklaroi se këto çështje i përkasin një periudhe të kaluar dhe se janë zbuluar gjatë procesit të shitjes së klubit në vitin 2022.

Ndërkohë, një tjetër shkelje lidhet me regjistrimin e parregullt të disa lojtarëve të akademisë në periudhën 2019–2022, çka ka sjellë edhe ndalimin e transferimeve për kategoritë e reja.

Aktualisht, ekipi i parë i Chelseat drejtohet nga trajneri Liam Rosenior dhe është në prag të një sfide të rëndësishme kundër Paris Saint-Germain në kthimin e fazës së 1/8-ve të UEFA Champions League.