Real Madridi mendon një ofertë rekord për lojtarin e Bayern-it: plot 160 milionë euro

Një lajm i fortë, që vjen nga Gjermania, ka nisur të qarkullojë me shpejtësi në botën e futbollit. Sipas raportimeve të gazetës ‘Bild’, Real Madridi po shqyrton mundësinë për të bërë një ofertë shumë të madhe për Michael Olise, i cili aktualisht është pjesë e Bayernit.

Sipas ekspertit të merkatos Ekrem Konur, drejtuesit madrilenë mund të arrijnë deri në 160 milionë euro për kartonin e francezit në fund të sezonit. Presidenti i klubit, Florentino Pérez, thuhet se e vlerëson shumë profilin e lojtarit dhe e konsideron atë një përforcim të madh për të ardhmen e skuadrës.

Megjithatë, kjo shumë konsiderohet disi e ekzagjeruar nga media gjermane. Gazetari Christian Falk shkruan se drejtuesit e Real Madridit po mendojnë për një transferim spektakolar që do të rikthente entuziazmin te tifozët pas një sezoni jo plotësisht bindës. “Florentino Pérez po mendon një goditje të madhe për të kënaqur tifozët me një tjetër superyll”, thekson Falk.

Nga ana tjetër, te Bayerni nuk duket se ekziston dëshira për ta shitur lojtarin. Olise ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2029 dhe në marrëveshjen e tij nuk ekziston asnjë klauzolë largimi.

24-vjeçari po kalon një sezon shumë të mirë në Bundesligë, ku është shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të kampionatit. Ai ka realizuar 15 gola dhe ka dhënë 27 asistime në 38 ndeshje, duke u bërë një nga futbollistët më produktivë në Europë. Aktualisht, vlera e tij në treg vlerësohet rreth 130 milionë euro.